

TIRANË — Detaje të reja nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) kanë zbuluar komunikimet telefonike mes drejtueses së pezulluar të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi.
Sipas të dhënave nga hetimi, mesazhet e sekuestruara nga organet e drejtësisë rrëzojnë pretendimet e ish-drejtueses së SHISH-it se kontaktet me Agasin zhvilloheshin vetëm për shkak të detyrës zyrtare ose si bashkëpunëtor i shërbimit sekret.
Në përgjimet e administruara si provë materiale, Vlora Hyseni i shkruante biznesmenit Ergys Agasi:
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt.”
Në një tjetër komunikim të dokumentuar nga hetuesit vetëm katër ditë përpara ekzekutimit të masës së sigurisë, Hyseni i drejtohej përsëri Agasit me fjalët:
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha.”
Këto komunikime janë pjesë e fashikullit hetimor mbi të cilin GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për Vlora Hysenin, nën dyshimet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të akteve e të dhënave sekrete shtetërore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






