

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar pak para mesnate lidhur me incidentin e ndodhur pasditen e së dielës në rrugën “Marko Boçari”, ku u sinjalizua për veprimtari të paligjshme zgjedhore në një zyrë elektorale të Partisë Socialiste.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 17:50, pas një denoncimi të bërë nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, forcat e Policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe konstatuan disa shtetas brenda dhe pranë një ambienti privat pa shenja identifikuese.
Kontrolli u krye në prani të përfaqësuesve të të dyja partive politike. Policia bën me dije se në ambientin e kontrolluar nuk u gjetën materiale të kundërligjshme apo kompromentuese.
Personat e pranishëm u shoqëruan në Komisariatin Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët.
Përfaqësuesi i PS-së, Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të PD-së kanë ushtruar forcë fizike ndaj tij dhe personave që e shoqëronin.
Grupi hetimor po punon për administrimin e pamjeve filmike dhe çdo prove tjetër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë SPAK, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve hetimore, pritet një njoftim i plotë mbi përfundimet zyrtare.
DVP Tiranë/Informacion paraprak
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm pranë SPAK, janë duke kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, për dokumentimin e një rasti të pretenduar sot, më datë 11.05.2025, në një ambient në rrugën “Marko Boçari”, Tiranë, ku eshte pretenduar për veprimtari të paligjshme zgjedhore.
Rreth orës 17:50, pas një njoftimi të bërë nga Belind Këlliçi, përfaqësues i Partisë Demokratike, shërbimet e Policisë shkuan në vendin e pretenduar dhe konstatuan disa shtetas pranë dhe brenda nje ambienti privat, që sipas kallëzuesve funksiononte si zyrë elektorale, pa shenja identifikuese, për Partinë Socialiste.
Gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshem. Personat e pranishëm u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ushtruar forcë ndaj tij dhe personave të tjerë me të cilët ishte i shoqëruar.
Grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, do të jepet një njoftim i plotë mbi rezultatet e hetimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






