Transmetuar më 11-05-2025, 20:44

Pas akuzave të opozitës dhe ndërhyrjes së policisë në një ambient pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ku u denoncua prania e materialeve të dyshimta zgjedhore, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër përmes një deklarate për mediat. Ai e ka cilësuar ngjarjen si një “tentativë kriminale” për të frikësuar dhe penguar socialistët që të marrin pjesë në votime.

Sipas Braçes, persona të afërt me opozitën kanë inskenuar një skenar për të krijuar kaos dhe për të ndikuar në perceptimin publik përmes shpifjeve dhe sulmeve politike. Ai mohoi çdo lidhje me veprime të paligjshme dhe u shpreh se në ambientet e përmendura nuk kishte as para, as lista, dhe asnjë shkelje të ligjit.

“Ishin thjesht shokët e mi aty brenda. Ambienti u kontrollua cep më cep. Këlliçi vetë ishte aty, i kërkova të më thotë nëse kam blerë ndonjë votë apo prekur ndonjë. Më tha: ‘Jo, nuk kam asgjë për ty’,” deklaroi Braçe.

Ai ironizoi akuzat për prezencë të shumave monetare, duke thënë: “Belindi pretendonte se kishte lekë këtu brenda. Pas 60 ditësh i gjeni në KQZ. Ju nuk jeni interesuar për 6 milionë euro, por për një zyrë pune!”

Deputeti socialist u shpreh se kjo nuk është rasti i parë i tensioneve të nxitura nga opozita, duke e konsideruar si pjesë të një strategjie për të “mbyllur socialistët në shtëpi” dhe për të ndaluar çdo aktivitet elektoral në Bashkinë e Tiranës.

“Sot është e diel, nuk ka punonjës shteti. Këta janë miqtë e mi. Ajo që ndodhi është një përpjekje e përsëritur për të provokuar incidente dhe për të deformuar procesin zgjedhor,” përfundoi Braçe. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit