

Denoncimi i opozitës: “Strehë e patronazhistëve” pranë shkollës “Petro Nini”. Tension në Tiranë
Vetëm pak minuta para mbylljes zyrtare të procesit të votimit, një situatë e tensionuar është regjistruar në zonën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, në rrugën “Marko Boçari”, në Tiranë.
Partia Demokratike dhe përfaqësues të opozitës kanë denoncuar praninë e një zyre të dyshuar të Partisë Socialiste, të cilën e cilësojnë si të jashtëligjshme dhe e akuzojnë për veprimtari të paligjshme gjatë ditës së votimit.
Sipas denoncimit të PD-së, në këtë zyrë dyshohet se ndodhen materiale zgjedhore, pajisje elektronike, si dhe shuma monetare që mund të jenë përdorur për të ndikuar votuesit.
Opozita thotë se brenda zyrës ndodhen përfaqësues të administratës dhe eksponentë të PS-së, mes tyre edhe ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe, të cilët nuk janë të autorizuar të jenë aty në përputhje me ligjin.
Përfaqësues të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, përfshirë Adrian Kalajën dhe Tedi Blushin, kanë kërkuar ndërhyrjen urgjente të Policisë së Shtetit dhe bllokimin e menjëhershëm të zyrës.
Sipas tyre, zyrtarë të PS-së janë parë duke dalë me laptopë dhe çanta, për të cilat ekzistojnë dyshime se përmbajnë lista votuesish dhe para në funksion të blerjes së votës.
Kandidatja e PD-së, Adriana Kalaja, ka deklaruar se ka telefonuar disa herë SPAK-un dhe Policinë e Shtetit, por nuk ka marrë asnjë reagim. Ajo u shpreh se është vendosur të ndjekë penalisht këdo që shkel ligjin dhe ka akuzuar publikisht për përpjekje për tjetërsim të rezultatit zgjedhor.
“Njerëz me laptopë u larguan me vrap. Dyshohet se çantat e tyre përmbanin lista zgjedhore dhe para. Një bandit jashtë, një brenda që shantazhon gazetaren. Kjo është një ngjarje e rëndë dhe do të luftojmë deri në fund për të mbrojtur votën,” tha Kalaja.
Belind Këlliçi tha për mediat se në momentin përpara se të vinte policia, personat brenda zyrës me çanta në kurriz janë larguar me shpejtësi, teksa Erion Braçe nuk tregon se kush janë ata.
Sipas Këlliçit në arë zyrë ka dokumente, kompjuterë dhe telefona. Ai ngre shqetësimin se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Task Forca e SPAK për krimet zgjedhore.
“Ka ardhur policia dhe kërkoj të shoh vendngjarjen. Unë i them që ikën njerëzit me vrap. Brace thotë që kjo është zyra dhe këta janë njerëzit e mi. Dhe kur e pyetën kush janë njerëzit që ikën më vrap thotë nuk i njoh le ti gjejë Belindi.
Kjo është një zyrë e paligjshme, të këqyren telefonat dhe pajisjet elektronike. SPAK-ut i kemi telefonuar dy herë. Nuk u përgjigj, nuk ka një qëndrim.
Nëse nuk ka një krim zgjedhor përse këta persona ikën me vrap. Unë i njoh emër për emër të gjithë ata që janë pjesë e fushatës së PD. Përse kishte harta, përse kishte lap-top”, tha Këlliçi.
Aktualisht, forca të shumta policore ndodhen pranë ambienteve të përmendura, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga institucionet ligjzbatuese dhe nga Partia Socialiste lidhur me akuzat e ngritura. /noa.al












Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






