

Tiranë- Besimtarët myslimanë do të festojnë të dielën Fitër Bajramin.
Komunitetit Mysliman i Shqipërisë ka bërë me dije se të gjithë besimtarët do të mblidhen për të falur namazin në sheshin ‘Skënderbej” që në orën 06:45.
Bajrami vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit. Pas faljes, besimtarët shkëmbejnë vizita dhe urojnë njëri tjetrin për shëndet, mbarësi dhe begati në familjet e tyre.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, njofton të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet ditën e diel, më datë 30.03.2025, në "Sheshin Skënderbej", Tiranë. Ceremonia e Faljes së Fitër Bajramit fillon në 06:45 me lexim Kurani dhe ligjërata, ndërsa në orën 07:30 qëndrojmë në namaz. Gjithashtu ju bëjmë me dije se pritjet tradicionale do të organizohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ju uron të gjithë shqiptarëve, Gëzuar Fitër Bajramin!
Kremtimet e Fitër Bajramit shënojnë edhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku familjarë e miq mblidhen bashkë për lutje dhe për të ngrënë drekën e Fitër Bajramit.
Për shumë besimtarë muaji i shenjtë i Ramazanit përbën në vetvete një kohë reflektimi dhe lutjesh.
Agjërimi, tipari kryesor i tij, është një prej 5 shtyllave të Islamit dhe një moment shpirtëror për myslimanët anembanë botës që të fokusohen tek vetëpastrimi, qetësia, durimi dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd