Transmetuar më 28-03-2025, 10:10

Sulmuesi i Napolit, Romelu Lukaku, ka folur në “Radio Crc” duke analizuar momentin e ekipit dhe sezonin e tij të parë në kryeqytetin e Kampanias. Këto ishin fjalët e tij: "Pasi kalon disa ditë këtu, e kupton menjëherë se je përfaqësues i një populli. E kuptova menjëherë që Napoli është gjithçka për njerëzit.

Mertens më kishte folur për këtë vite me radhë. Isha i përgatitur, por kur arrita, ndjeva me të vërtetë dashurinë dhe pasionin e njerëzve. Për ne lojtarët, kjo është nxitje e pabesueshme. Për një lojtar është ndjenjë unike. Unë jam i përqendruar në fushë, por është e bukur ta ndjesh ngrohtësinë dhe dashurinë e njerëzve".

Fjalimi i tij me kombëtaren bëri xhiron e internetit: "Nuk e kisha parë kamerën, duhej ta largoja (qesh). Megjithatë, duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, më pas të shohim ku do të arrijmë. Për ne çdo ndeshje është si finale dhe e përgatisim kështu në stërvitje".

Kundër Milanit mund të arrijë golin e tij të 400-të në karrierë: "Do të ishte e pabesueshme, por për mua mbetet më e rëndësishme performanca e ekipit. E dimë se po luajmë kundër një kundërshtari të fortë, të mbushur me cilësi, por do të përgatitemi sa më mirë për të marrë fitoiren. Kam besim te puna që po bëjmë me trajnerin".

A ishte një nga golat më të bukur të sezonit ai i shënuar në ndeshjen e fazës së parë ndaj Milanit? Ja si përgjigjet belgu: "Mund të jetë, është një gol që më përfaqëson. Aty sulmoj thellësinë, goli erdhi falë pasimit të shkëlqyer nga Anguissa. Përveç golit tim, ishte një paraqitje shumë pozitive e ekipit".

Si ka qenë negociata që e solli te Napoli: "Conte më kishte telefonuar shumë herët dhe unë i thashë ‘po’ menjëherë. Të dy e dimë se çfarë më nevojitet për të dhënë maksimumin, nuk duhen shumë fjalë për t’u kuptuar".

“BigRom” ka një marrëdhënie speciale me Conten: "Nuk kam ndonjë trajtim të veçantë, madje ai është më i ashpër me mua, sepse pret shumë. Më pëlqen kjo përgjegjësi, ai më ka bërë të rritem dhe përmirësohem gjatë karrierës. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës për këtë".

Lufta për titullin me Interin dhe Atalantën: "Interi është favorit, të gjithë e thonë. Zikaltrit kanë një ekip të kompletuar dhe me cilësi të jashtëzakonshme, duhet të jemi të sinqertë. Atalanta po bën një rrugëtim të madh, vitin e kaluar fitoi Ligën e Europës dhe tani po rritet akoma më shumë. Ne duam të hakmerremi, askush nuk priste që do të ishim në këtë pozicion, por tani jemi këtu dhe duhet të vazhdojmë të punojmë fort. Për të realizuar ëndrrat e tua, duhet të japësh gjithçka çdo ditë dhe të jesh i gatshëm për çdo sfidë. Kur je pjesë e një cikli fitues, duhet gjithmonë të rrisësh standardet. Të tjerët përmirësohen dhe ti duhet të bësh të njëjtën gjë. Tifozët duan ta përjetojnë sërish ndjenjën e kampionit, ta fitonim sërish titullin do të ishte edhe më bukur. Trajneri, si lojtar, gjithmonë ka shijuar çdo fitore si të ishte e para, ne duam ta bëjmë këtë edhe për këtë qytet. Nuk ndihemi të kënaqur".

Belgu ndihet pak si napolitan: "Çdo ditë e më shumë. Kam folur me Mertens së fundi, ai dëshiron të kthehet për të jetuar këtu pas ‘pensionimit’. Falë tij kam njohur njerëz të mrekullueshëm, kam krijuar lidhje që do të zgjasin për gjithë jetën".

Në të ardhmen, a do të bëhet trajner: "Mendoj se po, një pjesë e imja e beson këtë. Një pjesë tjetër, megjithatë, ka ende disa dyshime. Pas sezonit do të filloj kursin UEFA A dhe UEFA B, pastaj do të shoh se çfarë ndiej të bëj".

Çfarë ka ndjerë kur shënoi golin e parë në “Maradona”: "Gjatë ngrohjes kam ndjerë një ngrohtësi të pabesueshme nga tifozët, asnjëherë nuk e kisha përjetuar diçka të tillë. Pas ndeshjes e pyeta Mertens nëse ishte gjithmonë kështu, ai më konfirmoi se është diçka konstante. Brohorimat e publikut të shtyjnë përpara, ndërkohë që e vendosin nënë presion kundërshtarin. Kur ndodh kjo, për kundërshtarin bëhet e vështirë. Është një çështje mendore që të jep edhe më shumë forcë".

Sa i rëndësishëm është komunikimi mes sulmuesve: "Është thelbësor. Flasim shumë mes nesh, me Raspadorin, Simeonen, të gjithë kemi karakteristika të ndryshme, por mund të luajmë së bashku. Kjo e ndihmon edhe trajnerin të marrë vendime. Nëse ka harmoni, rezultatet vijnë. Jemi një grup i lidhur edhe jashtë fushës. Çdo të martë organizojmë turne futbolli në ‘Call of Duty’, gjithmonë jemi 10-12 lojtarë. Luaj ‘videogames’ edhe me fëmijët e mi.

Djali im? Ky është viti i dytë tek Anderlecht, po argëtohet. Dëshiron të luajë si sulmues, jo në mbrojtje. Sigurisht është më teknik se unë, tek Anderlecht punojnë shumë mirë. Unë nuk ndërhyj te trajnerët, natyrisht".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit