

Një Kampionat Europian dhe një Superkupë e Spanjës janë vetëm fillimi për një talent të paracaktuar si Lamine Yamal. I intervistuar nga e përditshmja spanjolle “AS” nga grumbullimi me kombëtaren spanjolle, ylli i Barcelonës, i lindur në vitin 2007, është në mes të një beteje të hapur për titullin në La Liga kundër Real Madridit dhe Atletico Madridit.
Asgjë nuk është e sigurt, duke parë renditjen (Barça dhe Real Madridi me nga 60 pikë, ndërsa ‘Colchoneros’ ndjekin me 56 pikë). Megjithatë, një rival mbetet gjithmonë ai që duhet mundur, ndoshta edhe në Champions League:
"Në fund është gjithmonë Barça-Real Madrid. Atletico e bën të vështirë garën e titullit, unë nuk do ta quaja ende jashtë loje në La Liga, përkundrazi. Sidoqoftë në fund, gjithmonë mbeten Real Madridi dhe Barça, rivalë të cilët po luftojnë edhe në Kupën e Mbretit dhe Champions-it. Prandaj, besoj se po, rivali ynë deri në fund do të jetë Real Madridi".
Një temë e pashmangshme ishte rinovimi i tij me Barcelonën. Nëse nuk firmos, do të jetë i lirë të nënshkruajë me një klub tjetër falas nga 1 janari i ardhshëm. Për këtë, Lamine u shpreh: "Besoj se tani askush nuk po mendon për këtë.
Jemi të gjithë të përqendruar që ta mbyllim sezonin me tituj. Tani kam vetëm një gjë në mendje: të luaj dhe të fitoj me Barcelonën. Po hyjmë në fazën vendimtare të sezonit dhe mendja ime është e fokusuar vetëm aty. Nuk do të flas për rinovimin deri në fund të sezonit".
Në fund, një koment mbi ëndrrën për të fituar “Topin e Artë”, herët a vonë, në karrierën e tij: "Gjithçka që ka rëndësi është që Barça, të fitoj tituj me të, sepse pjesa tjetër do të vijë vetë. Kjo është diçka që vjen me suksesin e ekipit, unë mezi e pres këtë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd