Transmetuar më 12-03-2025, 22:14

Tiranl – Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se ‘Partia Demokratike hyn në këtë fushatë pas një serie betejash herkuliane.’ Ai u shpreh se ‘PD hyn në këtë fushatë me premisat më të fuqishme për një fitore historike,’ ndërsa Këshilli votoi edhe listën përfundimtare të kandidatëve të demokratëve për zgjedhjet e 11 majit, raporton noa.al.

‘PD hyn në këtë fushatë pas një seri betejash herkuliane, por me premisat më të fuqishme për një fitore historike’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku pritet të votohet lista përfundimtare e demokratëve për zgjedhjet e 11 majit’, tha Berisha.

Kryedemokrati vlerësoi angazhimin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në përpjekjet për të rrëzuar, siç e quajti ai, ‘narkodiktaturën e Edi Ramës.’

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ai lavdëroi gjithashtu kandidaturat që dolën nga procesi i primareve brenda PD-së, duke theksuar se ato janë të denja për të përfaqësuar tre parlamente.

Lideri demokrat vuri në dukje krizën e thellë që ka pllakosur vendin dhe akuzoi mazhorancën për qeverisje të korruptuar. Sipas tij, shqiptarët po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, ndërsa qeveria i shmang problemet reale përmes propagandës së zbrazët.

Ai deklaroi se Partia Demokratike ofron alternativën më të mirë për të dalë nga kjo situatë dhe për të ringritur vendin.

Programi i demokratëve, i hartuar me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, synon të transformojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar dhe prodhues. Me këtë vizion, Berisha siguroi mbështetësit se PD do të sjellë ndryshimin që shqiptarët presin.

Berisha gjithashtu njoftoi se ardhja e kryestrategut të fitores së Donald Trump, Chris LaCivita, ka shkaktuar frikë te kryeministri Edi Rama. Sipas tij, fitorja e PD-së është bazuar në udhëzimet e LaCivitës, me të cilin Berisha ka kontakte të vazhdueshme dhe të përditshme.

FJALA E PLOTE:

Ne, theksoj në krye të radhës, nisim betejën e fitores, me një epërsi të madhe morale, epërsi të madhe në kandidaturat tona, epërsi të madhe programore dhe në mbështetjen e madhe të publikut dhe mbështetjen e madhe ndërkombëtare.

Theksoj këto sepse janë premisat më të fuqishme për një fitore historike të PD-së më 11 maj, fitore e cila ka filluar të hetojë, të rezonojë në mbarë botën.

PD hyn në këtë fushatë pasi një seri betejash herkuliane, të papara, jo vetëm i përballoi ato, por bëri edhe opozitën më të fuqishme në kushtet e një narkoshteti.

E them këtu se qëndresa e aktivistëve, militantëve, drejtuesve të PD, deputetëve të saj, ndaj një regjimi diktatorial të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, është një betejë epike në historinë e një kombi për liri.

Me të gjitha format e persekutimit, shantazhit, PD ia doli të vijë në harkun e fitores, e përmbysjes së diktaturës, e shpëtimit të Shqipërisë.

Kurrë ndonjëherë një opozitë në kushte shumë të vështira dhe të veçanta, nuk ia ka dalë t’i bëjë opozitën, kundërshtinë, denoncimin, faktimin, provat një diktature sië ia ka dalë PD-ja këto vite.

Dhe, kjo është në nderin e të gjithë atyre që nuk u dorëzuan, por vendosën të luftojnë dhe luftuan me sukses.

Qytetarë të thjeshtë, militantë të partisë, deputetë të saj, drejtues të saj nuk njohën lodhje nuk njohën tërheqje, nuk njohën dëshpërim, por ecën dhëmb për dhëmb me një regjim të egër, të pamoral, hajdutësh, kriminelësh, trafikantësh dhe vijnë sot të sigurt në fitore.

Në këtë garë, siç jeni dëshmitarë, më e hapura në historinë e këtij vendi, qindra djem, vajza, burra, gra, paraqitën lirshëm, pa asnjë lloj presioni apo ndikimi vullnetin e tyre për të kandiduar për forcën tonë politike.

Këto kandidatura të shkëlqyera do të thosha, ishin të denja për tre parlamente.

Vështirësitë e mëdha ishin për zgjedhjen e të mirëve dhe më të mirëve mes tyre.

Por kjo ishte edhe një dëshmi e madhe e besimit ndaj PD dhe një vendosmëri e madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga narkodiktatura.

Pra, në qoftë se kthehemi në krahun tjetër, çfarë do gjeni? Delinkuentë, kriminelë, ministra të veshur me Dolce- Gabbana apo firma shumë më të shtrenjta, por që paratë i kanë nga kriminelët.

Si i tha ai Altin Hajri? Merrja masën atij t’i bëjmë dy kostume.

Ky është vetëm një aspekt i tyre. Kështu që kudo që shkojnë Uluzitë, Lubitë, shkojnë me një barrë të rëndë dosjesh krimi në shpinën e tyre.

Kurse përfaqësuesit tuaj janë përfaqësues që vijnë si njerëz të lirë para jush. Shkojnë si njerëz të lirë para qytetarëve dhe ky është një ndryshim madhor, ndryshim si nata me ditën.

Larg të qenurit të përsosur, por dallimi është i jashtëzakonshëm mes përfaqësuesve të tyre.

Shqiptarët e kanë të qartë këtë si rrezja e diellit. Ju e keni parë, ata nisën të parë turin e diasporës. U fik turi i tyre. U shkim, thonë në një shqipe më të hershme. U shua.

Mos na hajdeni se nuk duam t’u shohim, kjo ishte e vërteta. Pastaj u kthyen dhe bënë gjithçka që të votojë sa më pak diaspora.

Jo, jo, ky është viti i diasporës. Viti 2025 do shkruhet me germa të arta në historinë kombëtare si viti i diasporës shqiptare.

Si viti kur diaspora me votën e vet përmbysi diktaturën e drogës, krimit të Edi Ramës.

Ndaj dhe diaspora në mbështetje të PD-së në vitin e saj, diaspora e vendosur të përsërisë revolucionin demokratik të viteve ’90 është bërë tmerri dhe ferri i tyre.

Në mënyrën më të papërmbajtur, dy javët e fundit, kur e kuptuan që ua preu biletën diaspora, bënë gjithçka për të mos lejuar votimin e saj.

Por votat janë 250 mijë u regjistruan, 250 mijë të tjerë janë të betuar të vijnë nga ajri, toka, deti për të votuar me 11 maj. Edi Rama është absolutisht i pashpresë.

Kanë 2 muaj që këndojnë himnin e hajdutit, që lajmet nuk kanë asgjë tjetër vetëm Lali Vjedhësin, se si Lali Vjedhësi nuk ka vjedhur, se si po merreni me fustanet, packa se ishte gardëroba si e Lajla Asadit, identike.

Kur Lajla Asadi shkoi në Moskë, dy lajme dolën, që Asadi solli kaq flori dhe që Lajla kishte 1 milion dollarë garderobën.

Pra, zotëria tani është zhytur në park zoologjik dhe me këto mendon se do i hutojë shqiptarët.

Nuk u thotë një fjalë për ujin e pijshëm, nuk u thotë nj fjalë për kafshatën që ua preu, nuk u thotë një fjalë për çmimet stratosferike, nuk u thotë një fjalë për pabarazinë e tmerrshme që ka krijuar në rroga të ulëta dhe të larta, u thotë që po u rritën pensionet, përmbyset Shqipëria dhe mendon se këto do ua kompensojë duke prodhuar çdo mëngjes zhaba, zhapikë, hardhuca dhe kafshë të tjera të natyrës.

Pra, ndërkohë epërsia jonë është morale dhe programore.

Ne kemi një program të shkëlqyer, një program që nuk e ka pasur kurrë Shqipëria më parë.

Një program të hartuar me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të fondacioneve Heritage dhe Adenauer.

Një program, i cili këtë Shqipëri të sotmen, që braktiste masivisht nga shqiptarët, e shndërron në një Shqipëri Madhështore, krenare për shqiptarët.

Një program i cili në çdo kolonë të tij, në çdo projekt të tij është konkret dhe 100 përqind i realizueshëm.

Një program me paketën e dhembshurisë. Sigurisht ajo do jetë paketa e parë. Ata që numërojnë kafshatat, ata që nuk mjekohen, nuk do numërojnë kurrë kafshatat se do marrin shumën që i nxjerr jashtë varfërisë ekstreme. Do marrin ilaçet siç i meritojnë. Do marrin kartën e konsumatorit, do i marrin më lirë ushqimet, pa tajksa. Nuk mund të vuajnë ata për kafshatën.

Vetëm një Shqipëri e tillë do ringjallet, do rizgjohet dhe do bëhet Shqipëri prodhuese.

Made in Albania do jetë krenaria shqiptare.

Do bëjmë gjithçka që çdo burim, tokësor, mbitokësor, nëntokësor, turistik, etj, të shndërrohet në mirëqenie dhe pasuri për qytetarët shqiptarë.

Shqipëria prodhuese do të jetë motoja jonë.

Mos harroni një gjë, se do u thonë kundërshtarët se ku ishit ju kur ishit në pushtet. Po, ishim në pushtet, dhe eksportet që janë prodhim, u rritën 320 përqind.

U rritën sepse ne krijuam dhe do krijojmë prapë klimën më miqësore për biznesin. Sistemin e taksave më të ulëta. Konkurrencës më të ndershme.

Epërsia jonë është programi ynë, i cili bazohet në parimet më të avancuara të tregut të sotëm.

Një program që mban vulën e Heritage Foundation, e thinktankut konservator më të fuqishëm në botë.

Mban vulën e Adenauer Stiftung.

Një program që do transformojë Shqipërinë me shpejtësi.

Miqtë e mi, fitorja jonë ka në bazë pra jo vetëm programin, por ka në bazë kryemagjistarin, bashkëkryestrategun e fitores më mahnitëse elektorale në historinë e njerëzimit që ishte fitorja më 5 nëntor 2024 e presidentit Donald Trump në SHBA.

Chris LaCivita dhe Suzane Uilis ishin dy strategët më të mëdhenj të kohërave që bënë të mundur një fitore që kundërshtohej nga gjithë makineria gjigante.

A nuk e penguan dot të fitojë.

Chris LaCivita është tani kryemagjistari i fushatës tonë.

Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, të përditshëm me udhëzimet dhe instruksionet e tij.

Kjo e ka tmerruar Edi Ramën.

E çuditshme, një ditë që Edi Rama i thoshte një turist nga Uashingtoni, turisti nga Uashingtoni kishte postuar në X-in e tij një foto ngjitur ne Air Force One, me aeroplanin e presidentit, dhe tha, ja me se erdha në Uashington.

Pra, është pak turist i veçantë ky, që e ka tmerruar Ramën.

Së fundmi dhe shumë e rëndësishme, ne shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me koalicionin më të gjerë në 32 vite, koalicion, i cili në librat elektorale të këtij vendi, ato parti qëjanë bashkuar me ne, kanë së bashku minimumi 26 përqind të votave.

Kështu që koalicioni gjithnjë ka kompromiset e veta, por unë u garantoj ju, anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë mbështetësit tanë, se në qoftë se ka një histori ku secili fiton, është ky koalicion.

Ky koalicion e shndërron PD-në në një mazhorancë absolute.

E shndërron PD-në në një mazhorancë tmerruese për narkopartinë dhe narkoqeverinë kundërshtare.

Ky koalicion ka nga ana tjetër bashkimin e të gjitha forcave dhe jo vetëm forcave, vlerave të shpërndara, se nuk janë të gjitha të përqendruara tek PD.

Ndaj dhe u përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh vlerësimin për punën që keni bërë.

Jemi sot këtu në përputhje me statutin e partisë, i cili kërkon që në procesin e miratimit të kandidaturave për legjislaturën e ardhshme, ato miratohen me debate dhe diskutime në kryesinë e PD-së dhe i paraqiten për miratim në parim si listë, jo raste, Këshillit Kombëtar të PD.

Ky është edhe përcaktimi statusor.

Në këtë rast, dua t’u them dy momente. A është e drejtë kjo listë që na e imponon ose e shpiku në vitin 2021 Edi Rama? Jo, nuk është e drejtë.

Ua them unë.

Ndërhyrja e bërë, bëri një gjë. Në qoftë se në të parën, për të kaluar rubikonin duhej të merrje 10 mijë vota, tani jo. Tani vendet e lira që mbeten, i merr ai që merr më shumë vota.

Pra, për pjesën e hapur është bërë më e drejtë.

Por përsëri duhet të ishte më e hapur, por këtë ne në dorë nuk e kishim.

Në këtë aspekt janë ndjekur parime në çdo qark, përveç Gjirokastrës dhe Kukësit, janë dërguar përfaqësues nga aleatët, 4 janë në Tiranë dhe 4 në qarqet e mëdha, por në çdo rast është mbajtur parasysh që kryetari dhe aleati të mos jenë më shumë se 40 përqind e listës së mbyllur. 60 përqind të lihet lokalisht deri në 80 përqind sipas rastit.

Lista e hapur është bërë me më të shquarit e komunitetit, e qarkut, e rrethit dhe janë pasqyruar.

Tani, e fundit që dua ta them këtu, kjo është një betejë.

Unë e di, shumë normale që ata që kanë pritur të jenë në listë të mbyllur, por kanë mbetur në listë të hapur, të jenë të mërzitur, të jenë zemërthyer.

Unë u garantoj se secili prej tyre do të doja të ishte në listë të mbyllur, por ajo aq merr.

Nga ana tjetër, ajo që dua të rikujtoj këtu, një fushatë elektorale dhe një zgjedhje janë një betejë në luftën e gjatë të një politikani apo politikaneje, i cili duhet të qëndrojë i pamposhtur në betejë.

Duhet në radhë të parë në respekt të investimit që ka bërë gjer në atë moment.

Në radhë të dytë në interesin më të mirë të PD-së dhe karrierës së tij.

Ndaj dhe jam i bindur se njerëz të parimeve dhe idealeve, pavarësisht nga pozicioni ku e gjejnë veten në listë të hapur apo të mbyllur, do vazhdojnë me vendosmëri të madhe betejën gjer me datën 11 maj, ditën e fitores së koalicionit Shqipëria Madhështore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit