Transmetuar më 10-03-2025, 17:19

“Mëkati po i çon në burg” – Famullitari i Kishës Katolike në Shkodër kritikon politikanët shqiptarë: Janë shtresa më e ulët në vend

Famullitari i Kishës Katolike në Shkodër, Dom Vlash Palaj, ka kritikuar ashpër klasën politike shqiptare gjatë meshës së së dielës, duke i cilësuar si “shtresa më injorante dhe më e ulët e popullit”.

Në fjalën e tij para besimtarëve, ai denoncoi etjen për pushtet dhe korrupsionin që, sipas tij, po i çon politikanët në burg njëri pas tjetrit.

“Vëreni këta politikanët tanë. Me këtë situatë që është krijuar, nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë çfarë janë. Më vjen keq për ta, sepse më duken shtresa më injorante dhe më e ulët e popullit shqiptar. Pse? Sepse iu jepet pak pushtet. Njerëzit ua japin me bujari, por në vend që ta përdorin për të mirën e përbashkët, ata mbledhin vetëm për vete. Problemi nuk është tek ajo që mbledhin, por tek varfëria e shpirtit të tyre”, tha Dom Palaj.

Ai theksoi se korrupsioni nuk është thjesht një mëkat moral, por një rrugë që përfundon në burg:

“Si more, në burg ti? Të kemi votuar për të bërë mirë. S’kemi problem, bëni mirë edhe për veten tuaj, por mos abuzoni deri në atë pikë sa të na merrni në qafë. Të na hiqni bukën e gojës, sidomos atij që lufton çdo ditë për të mbijetuar. Mëkati i korrupsionit të çon në burg! Thotë Krishti, herët a vonë çdo gjë do të dalë në dritë”, u shpreh ai.

Duke përmbyllur mesazhin e tij, famullitari u shpreh se etja për pushtet po i tjetërsuar politikanët dhe se në vend të dëshirës për të sunduar, duhet të ketë një angazhim për t’i shërbyer popullit.

“Si nuk doli një të thotë: ‘Kam etje për të shërbyer’?”, tha ai.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit