

Yann Sommer ishte lojtari i zgjedhur nga Interi për të dalë në krah të Simone Inzaghit në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së Champions League kundër Manchester City.
Sezonin e kaluar keni pasur një përqindje shumë të lartë pritjesh, sot do të keni përballë Haaland…
Mezi pres ta luaj këtë ndeshjen inauguruese në Champions League. Jemi të përgatitur, kemi punuar shumë për këtë lloj ndeshjeje.
Si ndiheni në këtë fillim sezoni të ri?
Deri më tani mendoj se nuk kemi treguar më të mirën që mund të bënim, por kjo është në rregull. Do të jetë një sezon i gjatë, siç ishte i fundit, gjithashtu shumë emocionues. Është normale që në fillim disa situata të mos shkojnë ashtu siç duhet. Tani është koha për të filluar këtë edicion të ri në Ligën e Kampionëve.
Si ndjehesh para përballjes me Haaland?
Ai është një nga sulmuesit më të mirë në botë. Po ashtu, do të përballemi me një ekip shumë të fortë, që ka potencial të jashtëzakonshëm sulmues. Ne duhet të bëjmë paraqitje të shkëlqyer kundër një prej skuadrave më të mira në Europë. Do të përpiqemi të luajmë një ndeshje të madhe.
Ndjenja është se fitimi i titullit të yllit të dytë ka rritur edhe ambicien europiane të Interit. A ndiheni më të fortë?
Është e vështirë për mua të mendoj për finalen e 2023, nuk isha aty, por sezoni i kaluar ishte fantastik, me fitimin e titullit. Tani fillon një sezon i ri, nuk presim dhurata nga kundërshtarët tanë. Do të duhet shumë punë, zemër, guxim për të pasur një sezon të mrekullueshëm në Ligën e Kampionëve, që është edhe synimi ynë.
Si spektator, çfarë ju bëri përshtypje në finalen e vitit 2023?
Sezonin e kaluar pashë shumë gjëra tek Interi, që i pashë në atë finale. Secili mbron portën e tij sikur të ishte një fëmijë, kështu ndjehet. Është diçka që më godet, aftësia për të dhënë gjithçka për fanellën zikaltër. Të gjithë këtu luajnë për të fituar, e pashë sezonin e kaluar.
A e keni studiuar Haaland në veçanti?
Unë përgatis çdo ndeshje në të njëjtën mënyrë. Natyrisht, po flasim për një ekip me lojtarë shumë cilësor. Jam përballur disa herë me Haaland, e di se si luan, do të përpiqem ta ndaloj sot. Mendoj se duhet ta ndalojmë Haaland, por së pari të ndalojmë Manchester City. Me këtë dua të them të ndalojmë shokët e tij të skuadrës ta furnizojnë me topa.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd
