Kryeministri Edi Rama tha sot se tritja e çmimeve gjatë sezonit veror, kryesisht në bregdet, është e palogjikshme.
Në një takim me kryetarët e bashkive ai tha se abuzimet evidentohen më tepër në Vlorë, pasi sipas tij Durrësi, Shëngjini dhe Velipoja kanë çmime më të qëndrueshme.
Rama apeloi se para se të jetë tepër vonë, duhet të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme.
Ai është ndalur konkretisht në qarkun e Vlorës ku përfshihen edhe Dhërmiu, Himara, Drimadhes, etj., ku janë rritur çmimet ndjeshëm në sezonin veror duke bërë që të zbrazen strukturat turistike:
“Rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë gjithë bota këtë sport. Para se të jetë vonë, duhet të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush s’mund t’ua imponojë por ama është dhe çështje dijeje.
Ideja që, meqë na thanë vjet se Shqipëria është shumë e lirë dhe ne po ja hedhim në erë të gjitha tavanët e arsyes së çmimeve është ide komplet e çmendur.
Ndërkohë shihni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, janë stabël. Natyrisht vlonjatët janë molla e këtij sherri. Dihet ajo punë.
Tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, gropa në gjoksin e vlonjatëve do jetë një gropë ku do bien vetë. Do të bien në gropën e gjoksit të tyre. Është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde kur në këtë moment kur kemi hyrë në Champions Leaguen e Mesdheut të fillojë të belbëzohet.
E ka bërë Bullgaria dhe e ka paguar me vite të tëra, nuk ktheheshin dot aty ku ishin”, u shpreh Rama ndërsa u dha mesazhin e qartë bizneseve në Vlorë se “do të zbresim pak me këmbë në tokë. Nuk zbresin dot vlonjatët, por të paktën të zbresin deri në kat të dytë”.
Prononcimi i plotë i z.Rama mbi dukurinë e rritjes së çmimeve:
"Duhet të përfitoj nga rasti, duke qenë se këtu janë të pranishëm, jo vetëm një pjesë bashkive kryesore, përsa i përket turizmit të vijës bregdetare, por edhe të tjerët, ku siç tregon harta e sivjetme e turizmit, tendenca e flukseve turistike për të shkuar përtej detit dhe për te eksploruar deri edhe zona edhe pika që deri dje as nuk imagjinoheshin që kishin turistë, – është shumë e rëndësishme që sot të jeni të gjithë të vetëdijshëm që ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar.
Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare, të gjithë janë të habitur edhe të skandalizuar nga shumë video, lajme, komente të rreme të manipuluara, të bëra me qëllim, që duan të thonë që këtu s’ka ardhur njeri.
Natyrisht që faktet janë në terren dhe nuk është ky preokupimi kryesor që të merremi me ata që janë pjesë e këtij sulmi të organizuar që vjen nga disa anë. Fakti është që sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike.
Shumë profile false që përdoren për këtë sulm, por kjo është njëra anë e medaljes që vlen për diçka tjetër, vlen për të kuptuar, që ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botes, erdhi dhe me sfida të reja, sfida që janë gjithmonë e më komplekse, që kanë të bëjnë me të gjithë elementët.
Sivjet, faktikisht para pak ditësh, Komisioni Evropian i Udhëtimeve nxori një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të fluksit të turistëve, pastaj vijnë me radhë, këtu në rajon, Serbia me 48%, Mali i Zi me 31%, Greqia me 22%, Turqia me 20%, ndërkohë që shumë nga vendet perëndimore janë me rënie për të gjithë arsyet që nuk ka nevojë t’i komentojmë.
Nga ana tjetër, pjesë e këtij sulmi është dhe një përpjekje shumë e ulët për të thënë që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë. Ndërkohë që fakti është, se nga janari deri në qershor, janë 1,7 milionë hyrje të qytetarëve të Kosovës ose 25% më shumë se vjet. Ndërkohë që, po të shohim të tjerët, ne vjet u surprizuam pozitivisht nga prurja e italianëve. Italianët, deri në qershor kanë qenë 486 mijë ose 57%. Ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq, 61% nga vjet pastaj turistët polakë 74% që kanë qenë nga të parët që kanë ardhur në Shqipëri, por kanë shkuar mbi 100 mijë deri në qershor. E ndërkohë aeroporti i Tiranës është në pamundësi për të dhënë leje të uljeve të avionëve charter për shkak se nuk ka vend për 24 orë dhe për të ulur një charter në aeroportin e Tiranës duhet të lajmërosh 3 ditë përpara dhe duhet të prenotosh 3 ditë përpara, gjë që, natyrisht, do të adresohet sepse në aeroportin e Tiranës ka filluar një punë intensive për zgjerimin e pistës, për zgjerimin e vendeve të parkimit, do të hapët aeroporti i Vlorës, por për të gjitha këto është e nevojshme të merren në konsideratë për diçka tjetër.
Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, kjo është shumë e qartë, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë dot apo nuk i imponojmë dot. Por ama, në Vlorë, Ermal, në Sarandë Olti, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve, është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve.
Është shumë e rëndësishme të flitet dhe t’u thuhet që kjo është, jo vetëm e padrejtë, se mbase në kushtet e kapitalizmit fjalën e padrejtë ata që duan të fitojnë nuk e perceptojnë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë, është strategji vetëvrasëse.
Duhet të komunikohet dhe duhet të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër sepse po të ishte kaq kollaj do ta kishte bërë tërë bota këtë sport.
E kanë bërë në pjesë të caktuara dhe pastaj kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura, por e kanë marrë vonë kështu që, përpara sesa të jetë vonë, është shumë e rëndësishme të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush nuk mund t’jua imponojë, por ama është dhe çështje dijeje dhe ideja që “Meqë na thanë vjet që Shqipëria është shumë e lirë, ne po ia hedhim në erë të gjithë tavanet e arsyes së çmimeve” është komplet një ide komplet e çmendur.
Ndërkohë, shikoni Durrësin, shikoni Shëngjinin, shikoni Velipojën; stabël. Natyrisht, vlonjatët janë molla e këtij sherri, dihet ajo punë, sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe është bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë ato çmime në atë farë feje. Do bien vetë në gropën e gjoksit të tyre.
Nuk më vjen keq për ta, por është e padrejtë komplet dhe është e turpshme për të krijuar një klimë absurde që në këtë moment kur ne sapo kemi hyrë në Champions League e turizmit të Mesdheut të fillojë të belbëzohet. E ka bërë Bullgaria këtë sport shumë vite më parë dhe e ka paguar, me vite të tëra nuk kthehej dot më aty ku ishte sepse e thotë populli shqiptar “Më mirë syri sesa nami”. Vlonjatëve u ka dalë edhe syri, edhe nami, u kanë dalë dhe trutë nga vendi, atyre që kanë ato hotelet dhe nuk dinë më se çfarë bëjnë.
Kështu që, është mirë që ta kuptojnë dhe mbase me këtë gjuhë, duke qenë se mua edhe mi tolerojnë më shumë sesa të tjerëve këto fjalë, do të zbresin pak me këmbë në tokë. Nuk zbresin dot vlonjatët se tua kërkosh të zbresin me këmbë në tokë është… por të paktën të zbresin në kat të dytë.
Pika tjetër e rëndësishme është për plazhet publike.
Edhe këtu ka një konfuzion të madh sepse unë kam qenë në kontakt me të gjithë ju, plazhet publike janë aty, plazhi publik i Sarandës dihet botërisht që është mu në vijën e gjithë qytetit, menaxhohet nga bashkia e Sarandës, është komplet i lirë për të gjithë, por edhe njëherë, më mirë syri sesa nami. Kështu që, duhet bërë çmos, jo thjeshtë që plazhet publike janë aty, por dhe njerëzit ta dinë që plazhet publike janë aty.
Natyrisht që, pjesa tjetër ka dhe ajo të drejtat e veta.
Ndërkohë që ne kemi filluar të studiojmë ndërhyrjet që ka bërë Spanja, që ka bërë Portugalia, që ka bërë Franca, që ka bërë dhe Turqia që fundmi edhe në këtë aspekt dhe vitin e ardhshëm do duhet të bëjmë përsëri një ndërhyrje përsa i përket hapësirave publike në plazh të një natyre pak më agresive, por është shumë e rëndësishme që edhe në këtë pikë bashkitë të jenë në krye të punës përsa i përket komunikimit.
Tjetra është pastrimi. Është më mirë sesa vjet, vjet ishte më mirë sesa parvjet, por përsëri duhet qëndruar mbi kokë. Jam bërë bajat duke sjellë si shembull policinë e Lezhës në bashki, por është fakt, nuk ke çfarë i bën. Është pasqyrë pastërtie. Ndërkohë që, është bërë progres gjithandej, por duhet kuptuar që nuk është thjesht tek plazhet çështja, është dhe brenda vendit.
Liqeni i Komanit pastrohet çdo dy javë me forca të shumta, do çojmë dhe ushtrinë për ta pastruar por kjo historia që banorët hidh dhe ushtria pastro nuk mund të vazhdojë në pafundësi.
Zona e veriut po njeh një boom të jashtëzakonshëm turistik, e dimë të gjithë. Tani do investojmë dhe rrugën e Komanit se i ka ardhur radha, por ama, liqeni i mbushur çdo dy javë me plehra që i hedhin rrugëve sikur kanë turp t’i hedhin aty ku duhen hedhur dhe prandaj i hedhin aty ku nuk duhen hedhur, nuk e di".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd