Ndarja nga jeta e Aneta Ramës, Urdhri i Stomatologut: Një nga ikonat e para të stomatologjisë
Transmetuar më 01-08-2020, 10:58

Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka reaguar me një mesazh për ndarjen nga jeta të nënës së Kryeministrit Edi Rama, Aneta.

Teksa vlerësohet roli i saj, kujtohet se Aneta Rama ishte një ndër mjeket stomatologe të para në vend.

Mesazhi i plotë i USSH

Sot u nda nga jeta mjekja stomatologe “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” Dr.Aneta Rama. Dr.Aneta lindi në qytetin e Vlorës më 1 shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente.

Dr.Aneta ishte dhe një sportiste e talentuar në katër lloje sportesh. Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emër të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1961.

Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet duke drejtuar poliklinikën dentare, e Specializuar ne Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike.

Dr.Aneta është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit. Me rastin e 100 vjetorit të Stomatologjisë Vlonjate, Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë i akordoi titullin më të lartë: “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” në një atmosferë të jashtëzakonshme festive të mbarë dentistrisë.

Sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë. Familja humbi njeriun e saj të dashur: nënën, gjyshen e njeriun që do ta kujtojë tërë jetën.

Në emër të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë i shpreh ngushëllime familjes, miqve e kolegëve të Dr.Anetës.

U prehsh në paqe Dr.Aneta!

President i USSH

Nikoll Deda/a.y/noa.al

Ndarja nga jeta e nënës, Edi Rama dhe Olsi mesazh miqve me një kërkesë

Kryeministri Rama në zi, ndahet nga jeta e ëma Aneta: Ishe drita e shtëpisë