Transmetuar më 26-06-2020, 15:59

Një vajzë e arrestuar, u njoftua ditën e sotme nga policia, si bashkëpunëtore në ekzekutimin e 40-vjeçarit Hekuran Billa, mbrëmjen e 11 qershorit, në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.

Hetimet lidhur me rolin e 26-vjeçares Adjola Lakra, kanë zbuluar se ajo është përdorur si karrem për ta nxjerrë viktimën në pritë.

Mësohet se e reja e arrestuar në Berat ditën e sotme, kishte pasur një lidhje intime me Hekuran Billën dhe kjo kishte bërë që ta kishte të lehtë afrimin me të.

Por kohëve të fundit ajo ishte lidhur me Sebastian Malin, një nga të arrestuarit për krimin që tronditi kryeqytetin.

Hetimet zbuluan se Lakra kishte informuar Malin dhe të dyshuarin kryesor për krimin Viktor Markun, lidhur me lëvizjet e Billës, teksa këtë të fundit e kishte nxjerrë në takim.

Mësohet se ajo kishte lënë takim me Billën në një lokal në zonën e Komunës së Parisit, ndonëse lidhja mes tyre kishte përfunduar prej afro një viti.

Dyshohet se e reja është përdorur nga i dashuri aktual i saj 23-vjeçari Sebastian Mali, për të nxjerrë Billën në pritë, ku dhe u ekzekutua me silenciator.

Pas arrestimit të Malit u zbuluan bisedat e shumta me Adjolën, çka bëri që policia ta mbajë nën vëzhgim.

Sebastian Mali është djali i motrës së Prel Markut, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga viktima Hekuran Billa, për të cilën ai ishte dënuar dhe kishte arritur që të lirohej.

I dyshuari kryesor, Viktor Marku, është gjithashtu daja i Malit dhe vëllai i Prel Markut. /a.y/noa.al

Vajza e arrestuar dyshohet se nxorri në pritë Billën, vrasja gjatë takimit me të

Ekzekutimi i Hekuran Billës, arrestohet një vajzë e dyshuar si bashkëpunëtore/Emri