Transmetuar më 26-06-2020, 11:45

Shkon në tre numri i personave të arrestuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e Hekuran Billës, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, mbrëmjen e 11 qershorit.

Gjatë orëve të para të ditës së sotme është vënë në pranga një vajzë 26-vjeçare, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Billës.

E arrestuara është Adjola Lakra, 26 vjeç, banuese në Tiranë, e cila dyshohet se është bashkëpunëtore në vrasjen e Billës, së bashku me Viktor Markun, vëllai i Prel Markut, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga Hekuran Billa dhe Sebastian Malin, nipi i Prel Markut.

Gjithashtu, në vijim të kontrolleve të shumta për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është vënë në pranga për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, A. A., të cilit i është gjendur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë me një krehër 7 fishekë.

Strukturat e policisë Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë ngjarje.

Vajza e arrestuar akuzohet për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

I dyshuari kryesor për krimin është Viktor Marku, i cili qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi.

Falë shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e tij në shtetin fqinj, për t’iu dorëzuar autoriteteve shqiptare në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit. Dyshohet se ai ka hyrë dhe ka dalë në Shqipëri nëpërmjet kufirit të gjelbër, për të fshehur gjurmët.

Krahas Viktor Markut, policia ka arrestuar si bashkëpunëtor në krim, 22-vjeçarin Sebastian Mali.

Ndalimi Malit sipas policisë u bë pasi, në datën 11 qershor, rreth orës 21:50, në rrugën “Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit Hekuran Billa.

Mali është nipi i Prel Markut, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga viktima Hekuran Billa, për të cilën ai ishte dënuar dhe kishte arritur që të lirohej. /a.y/noa.al