Transmetuar më 02-05-2020, 12:00

Drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupi doli sot në mesditë me deklaratë për mediat ku njoftoi zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 30 prill, në fshatin Qinam, ku tre persona, nën kërcënimin e armës, vodhën me dhunë një sasi lekësh në banesën e Bashkim Zajës.

Jaupi bëri me dije se në fashtin Qinam të Njësisë Administrative Zall-Herr, më datë 30 prill, rreth orës 23:30, persona të maskuar dhe të armatosur, duke u prezantuar si punonjës policie, janë futur në banesën e shtetasit Bashkim Zaja dhe nën kërcënimin e armëve, pasi i kanë lidhur pronarët e banesës, kanë vjedhur një sasi prej 40 mijë lekësh të reja dhe më pas janë larguar.

Pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas reagimit policor, veprimeve të shpejta dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kamzë u bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje.

Më tej u organizua puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre dhe pas disa orë krehjeje të zonës në fshatrat Grec dhe Tapizë u kapën dhe u arrestuan tre autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Kështu u bë arrestimi i Jani Aruçi, 29 vjeç organizatori i vjedhjes, i cili u kap në fshatin Grec; Ndriçim Bami, 20 vjeç dhe Durim Bami, 26 vjeç vëllezër, të cilët u kapën në fshatin Tapizë, Nikël;.

Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar automjetin e përdorur nga autorët, si dhe njërën prej armëve, e cila u gjet nga polumbarët e repartit special RENEA e hedhur në lumin Tapizë dhe aktualisht grupi i zhytësve po punon për gjetjen e armës tjetër që kanë përdorur autorët. Në galeri shikoni fotot e këtij operacioni.

Aktualisht vijon puna nga polumbarët e RENEA-s, në lumin Tapizë, për gjetjen e armës tjetër që kanë përdorur autorët. /a.y/noa.al

Lidhën të zotët e shtëpisë dhe morën paratë, policia zbulon shumën e grabitur

Grabitja në banesë, gruaja: U paraqitën si policë, në fillim lidhën djalin dhe burrin

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd