Transmetuar më 18-04-2020, 11:47

Gjykata ka vendosur të lërë në burg Ilir Selmanin, i cili është i akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos në 27 gusht të vitit të shkuar në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë ditën e enjte (16 prill) nga forcat “Shqiponja” në zonën e Xhamllikut në kryeqytet.

I ndaluari ishte shpallur në kërkim, i akuzuar si i përfshirë në krimin e ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku u ekzekutua me armë zjarri Santiago Malko.

Shpallja e tij në kërkim u bë pasi nga kamerat e sigurisë në vendin e krimit e kanë fiksuar duke mbledhur bishtat e cigareve që kishte pirë i dyshuari tjetër, Blendi Teta.

Hetimet zbuluan se Ilir Selmani është pjesë e klanit të Leonard Dukës, i cili mendohet se është edhe organizatori i vrasjes.

Ilir Selmani, 35 vjeç dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Të akuzuarit dhe rolet në vrasjen e Malkos

Leonard Duka dhe Erlis Duka vëllezër me njëri-tjetrin janë pronarë të një lokali në zonën e Freskut ku dyshohet se është thurur plani për vrasjen e Malkos.

Këta persona dyshohet se ndoqën dhe ekzekutuan më 27 gusht në rrugën ‘Xhanfize Keko’, shtetasin Santiago Malko, ish-oficer policie dhe më pas një personazh i njohur në botën e krimit për sa kohë rezultonte i përfshirë në disa ngjarje kriminale, mes të tjerave edhe atë të ndodhur 4 tetorin e vitit të kaluar në zonën e ish-Bllokut ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj edhe ky një personazh i njohur i botës së krimit.

Autorët e krimit kanë lëvizur me dy makina, konkretisht në automjetin tip ‘Scoda Roomster’ kanë qenë të ulur këta persona Ilir Selmani, i cili drejtonte këtë automjet, në vendin e parë Blendi Tetaj, i cili është tashmë i arrestuar me akuzën për moskallëzim krimi, Leonard Duka dhe Ervis Metani, ky i fundit i larguar pak minuta para se të ndodhte ngjarja. Këta persona kanë bërë disa lëvizje. Ndërkohë që në automjetin tip ‘Volkswagen’, golf janë ndodhur personat Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga, Dritan Aga dhe Fatmir Hyseni. Ata fillimisht kanë lëvizur nga zona e Freskut, pasi kanë darkuar në fakt, në drejtim të banesës së Santiago Malkos pas shumë ecejakesh në atë zonë dhe disa rrugica.

Në dosjen hetimore thuhet se Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre. Ata janë kthyer dhe janë ndaluar pikërisht në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Duhet theksuar se të gjithë këtë dëshmi e ka dhënë shtetasi i arrestuar Blendi Teta, i cili nuk është gjendur në momentin e ngjarjes që ishte larguar pak minuta para ngjarjes dhe ka qenë i fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij. Ndërkohë që shtetasi Ervis Metani rezulton i përfshirë vetëm për faktin se automjet ‘Golf 5’ është në pronësi të këtij shtetasi.

Mbetet për t’u parë nëse ai është realisht i përfshirë apo prokuroria mund të ndryshojë qëndrim lidhur me të. Sa i përket motivit Santiago Malko ka pasur një debat dhe një konflikt të hershëm me Leonard Dukën, i ka kërcënuar me armë babanë dhe dy kushërinj. Megjithatë nuk është ky motivi përfundimtar. Prokuroria është duke hetuar në disa pista, si konflikte për shkak të trafikut të drogës apo ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu prokuroria e Tiranës më herët ka hetuar dhe ka rrëmuar rreth një ngjarje të rëndë të ndodhur së fundmi në qytetin e Durrësit. Megjithatë janë edhe mjaft pista të tjera të hapura që janë duke u verifikuar për të arritur edhe në një konkluzion final lidhur me arsyet se përse këta persona vendosën të ekzekutonin Santiago Malkon./a.m/noa.al

Në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos, pamjet si u arrestua Selmani te Xhamlliku

Në kërkim për vrasjen e ish-efektivit Malko, arrestohet në Tiranë Ilir Selmani

Arrestimi i Selmanit, policia: I dyshuari për vrasjen e Santiago Malkos u kap i armatosur

Dëshmia e Selmanit për vrasjen e Malkos: Nuk e njoh! Më kanë thënë se Ervis Martini do të më heqë qafe

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd