Transmetuar më 27-01-2020, 19:41

Një ngjarje e rëndë u shënua një ditë më parë në Berat, ku vdiqën dy foshnje 5-muajshe të familjes Agalliu, Rojani dhe Rojeli. Familja dyshon te qumështi me kuti, ndërsa mjekët te asfiksia nga soba, teksa hetimet vijojnë.

Një ditë pas tragjedisë nëna e binjakëve Merushe Agalliu u shpreh se fëmijët i ushqente me qumësht kutie dhe se nuk kishin shfaqur asnjëherë probleme. Ajo kërkon që të zbardhet ngjarja për të mësuar shkaqet që i morën jetën dy fëmijëve.

"I lashë mirë, po bëja punët, kur shkova i pashë nuk ishin mirë. Thirra kunatën, fëmijët kishin mbaruar. Më ra të fikët dhe nuk mbaj më mend pastaj. Fëmijët ishin normalë nuk kishin asgjë. Dua një të drejtë që të zbardhet. Për të pirë u jepja qumësht kutie, ndoshta e kanë nga ai. Por nuk e di. Unë dua një të drejtë, pasi nuk ka mundësi, lindën normalë", tha nëna.

Ndërsa babai Eduart Agalliu rrëfen mes lotësh edhe gjendjen e vështirë ekonomike në të cilët jeton familja e tij. Eduarti pohon se në familjen e tij i vetmi që punonte ishte ai pasi nusja nuk mund të punonte se duhet të kujdesej për binjakët dhe dy fëmijët e tjerë 5 dhe 6-vjeç.

Eduarti pohon se ai punon në të zezë, vetëm 5 ditë në muaj dhe të ardhurat që ai siguron janë 50 mijë lekë (të vjetra). Eduarti kërkon nga shteti zbardhjen e të vërtetës në lidhje me shkaqet e vdekjes së dy fëmijëve të tij binjakë 5-muajsh, ndërkohë që tregon se vogëlushët i sollën nga morgu në shtëpi dhe më pas i varrosën.

Gjyshja e binjakëve, rrëfeu se në momentin që konstatuan gjendjen, njëri nga fëmijët ishte ende gjallë, por punë sekondash mbaroi. "Unë banoj në katin e parë, më vjen nusja më sjell njërin nga fëmijët ai kishte mbaruar, ngjis shkallët dhe i them merr tjetrin, ai ishte i ngrohtë, por punë sekondash mbaroi. Nuk kisha se çfarë të bëja mbajta nusen me shpresa, i thashë hajde ti çojmë në spital, por ata nuk kishin nevojë për ndihmë. Në spital mjeku na priti si i takonte, bëmë deklaratat tona dhe kaq./b.l/noa.al/

Berat/ Flet shefi i Repartit të Pediatrisë për vdekjen misterioze të dy binjakëve vetëm 5-muajsh

Dy foshnjet që humbën jetën sot në Berat/ Flet Drejtoresha e Spitalit pas ngjarjes

Berat/ Binjakët vetëm 5-muajsh mbërrijnë në spital të pa jetë në rrethana misterioze (dyshimet)