Transmetuar më 14-03-2019, 12:07

Policia e Shkodrës doli në një konferencë për mediat mesditën e sotme lidhur me operacionin e koduar “Maranaj”, gjatë të cilit u godit një grup që jepte para me fajde.

Bëhet me dije se gjatë këtij operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje janë arrestuar 11 persona dhe pesë të tjerë janë shpallur në kërkim.

Pas një hetimi disamujor u siguruan prova për 19 të dyshuar, për veprat penale të “Pastrimit të Produkteve të Veprës penale”, “Ushtrim aktiviteti financiar të palicensuar”, “Shpërdorim detyre”, “Prodhim dhe Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”.

Gjatë hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme si dhe janë gjetur e sekuestruar prova materiale që hedhin dritë mbi aktivitetin e tyre kriminal.

Në vazhdim të hetimit me vendim të Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër u dhanë 19 masa sigurie, nga të cilët 16 masa arrest me burg; dy masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi Publik”; një masë sigurimi “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe 22 masa të tjera për kontrolle banesash e ambientesh.

Të arrestuarit janë B. A., 61 vjeç nga Shkodra; E. M., 33 vjeç nga Shkodra; A.B., 22 vjeç, nga Shkodra; Artan Dragani, 39 vjeç nga Shkodra; M.B., 31 vjeç nga Shkodra; V.N., 37 vjeç lindur në Podgoricë dhe banues në Shkodër; E.F., 38 vjeç nga Shkodra; E.Q., 41 vjeç, nga Shkodra; P.V., 54 vjeç nga Shkodra; L.S., 48 vjeç nga Shkodra dhe N.A., 52 vjeç lindur në Pukë dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e pesë personave të tjerë.

Ndërkohë u ekzekutua masa e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi Publik” dhe “Detyrim Paraqitje” për tre noteren Valbona Hajdari, A.S., nga Shkodra dhe efektivin e policisë Ergys Lohja.

Gjatë operacionit dhe kontrolleve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 238 600 euro, 272 400 dollarë, 414 000 lekë, 510 Paund Britanik, 20 automejte transporti, një revolver, një krehër pistolete me fishekë; një armë gjahu pa leje; 5 kompjutera laptop; 50 celularë.

Gjithashtu u sekuestruan dokumente, kontrata, akte dhe deklarata noteriale, për pasuri e transaksione financiare të dyshuara.

Aktualisht vazhdojnë hetimet financiare për dokumentimin e të gjitha pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal, me qëllim sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin tek viktimat e krimit.

Në këtë operacion morën pjesë 160 forca policore dhe 30 automjete të policisë, përfshirë edhe automjete për transportim mjetesh transporti.

Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të lidhur me ta. /a.y/noa.al

Prokuroria jep detaje për grupin e fajdexhinjve, mes tyre noterja, polici dhe ish-kancelari i gjykatës

FNSH dhe RENEA ndërhyjnë në Shkodër për paratë me fajde, 14 të arrestuar