Transmetuar më 10-02-2019, 14:26

Pas ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, në më pak se një orë pas saj, erdhi reagimi i ashpër edhe nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda e cila i hoqi dënimin me burg për jetë për Dritan Dajtin, dhe e dënoi me 25 vite burg.

Ministri tha se 48 orët e fundit kanë qenë të përjetimeve të rënda për katër oficerët e rënë në krye të detyrës në gusht të vitit 2009, për familjarët, Policinë e Shtetit dhe qytetarëve, si pasojë e një “vendimi kriminal të disa gjyqtarëve, që uroj t’iu bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre”.

Lleshaj deklaroi se edhe pse nuk mund të japë detaje, operacioni “Forca e Ligjit” është vënë në veprim të plotë për të adresuar forcën e së drejtës së atentatit që sipas tij i është bërë drejtësisë në vend.

Ai tha se ata që krijuan kushte dhe lejuan rritjen kriminelëve me profil të rrezikshëm, dhe që jo rrallë u bënë njësh me ta, sot lajnë duart, madje përpiqen të krijojnë dhe kapital politik.

Në këtë drejtim vijoi duke thënë se qytetarët shqiptarë i njohin mirë, si arkitektët e djeshëm të një sistemi pa drejtësi, ashtu dhe perspektivën e pashmangshme të një reforme historike në drejtësi, e cila po thellohet falë vullnetit të palëkundur, por që nuk mund të quhet e kryer, “përderisa raste si ky i fundit, na dëshmojnë se ende njerëz të çartur, pa fe e atdhe, të veshur me petkun e së drejtës çmenden përpara parave të krimit”.

Lleshaj shtoi se po aq të çmendura janë edhe reagimet e “monstrave politike” që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve, që ata vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre në simbiozë me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete e grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre.

“Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të policisë të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë.”, u shpreh Lleshaj.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të 2009.

Por më 8 shkurt 2019 Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e shpëtoi nga “burgimi i përjetshëm”. /a.y/noa.al

Dritan Dajti i shpëtoi burgut përjetë, deklarata e fortë e ministres së Drejtësisë

"Burgu përjetë i Dritan Dajtit u kthye në 25 vite", prokuroria bën rekurs

Vrau 4 policët në 2009, Apeli rrëzon burgimin e përjetshëm për Dritan Dajtin