Transmetuar më 09-02-2019, 14:45

Prokuroria thotë se do të bëjë rekurs vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda e cila i hoqi dënimin me burg për jetë për Dritan Dajtin pranoi gjykimin e shkurtuar për Dajtin, e dënoi me 25 vite burg.

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se do presin zbardhjen e vendimit për të dorëzuar rekursin, shkruan Ora News.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të 2009.

Por më 8 shkurt 2019 Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e shpëtoi nga “burgimi i përjetshëm”.

Kjo ishte hera e dytë që dosja e Dritan Dajtit shqyrtohej në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv policie.

Pesëshja e gjyqtarëve që i hoqi burgimin e përjetshëm Dajtit ishte e deleguar, tre nga Gjykata e Apelit e Shkodrës dhe dy nga gjykata e Apelit e Vlorës.

Nga Apeli i Shkodrës ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës.