Transmetuar më 10-02-2019, 13:55

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, reagon pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda e cila i hoqi dënimin me burg për jetë për Dritan Dajtin, dhe e dënoi me 25 vite burg.

Lidhur me vendimin e së premtes, ministrja tha se ulja e dënimit për të akuzuarin për vrasjen e katër policëve, tregon qartë se bëhet fjalë për një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

“48 orë është punuar intensivisht për të adresuar këtë skandal të papranueshëm, të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin tërësisht në kundërshtim me ligjin të personit të akuzuar për vrasjen e katër policëve. Përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmenti i drejtësisë ku ende nuk ka arritur procesi i vetingut, iu them të gjithëve, se jo vetëm nuk do të pajtohemi kurrë me faktin e kryer këtë rast, por do ndjekim gjithë hapat që jeta e katër dëshmorëve të atdheut, të mos peshohet në kandarin e korrupsionit të disa gjyqtarëve që nuk meritojnë veçse përbuzje”, u shpreh Gjonaj.

Ajo shtoi se vendimi është në kundërshtim me çdo standard të procesit penal, dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm.

Ministrja tha se qeveria dhe shumica, as nuk e ka dhe as nuk synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë, por se në një rast të tillë nuk mund të rrijë pa reaguar.

Sipas saj, drejtësia në reformim e sipër që hera herës shfaq fytyrën e saj të vjetër, e vendos qeverinë në një pozitë të vështirë.

“Vetëm pastrimi nga radhët e drejtësisë të gjyqtarëve, si ata që ulën dënimin e vrasësit të katër policëve, është rruga për të ndaluar përgjithmonë këto vendime të paligjshme”, deklaroi ministrja.

Ajo shtoi se pavarësisht me reformën në drejtësi, do të përshpejtohet reforma për rritjen e sigurisë në burgje, si masa imediate kundër krimit të organizuar.

Gjonaj tha se ministria e Drejtësisë do i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor, për të marrë masa të menjëhershme për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve lidhur me “këtë rast të paprecedentë të shkeljeve”.

Ajo kërkoi që përveç pasurisë institucionet e vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Opinioni Ndërkombëtar i Monitorimi, që të fokusohen në elementë të tillë që gjyqtarë apo prokurorë kanë mundësuar që grupe kriminale ti shpëtojnë forcës së ligjit.

Ministrja tha se mbështet Prokurorinë në animimin e vendimit për rastit në Gjykatën e Lartë, në mënyrë që sipas saj padrejtësia e vendosur në Apel të vihet në vend.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të 2009.

Por Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e shpëtoi nga “burgimi i përjetshëm”. /a.y/noa.al