

Lëvizja Socialiste për Integrim, braktisi punimet e seancës së sotme parlamentare, e cila është e fundit për këtë sesion parlamentar.
Gjithçka pasi zv.kryetari i LSI, Luan Rama, kërkoi që Kuvendi të shtyjë punimet deri sa të gjendet zgjidhja për reformën në drejtësi. Ndërkohë në seancën e sotme, deputetët e Partisë Demokratike nuk janë paraqitur ende.
Duke folur nga ambientet e jashtme të Kuvendit, Rama tha se në momentin që nuk ekziston Gjykata Kushtetuese, parlamenti dhe institucionet duhet të ndërpresin veprimtarinë e tyre, pasi kjo gjykatë është kontrollorja e funksionit të tyre.
Ai deklaroi se reforma në drejtësi është një sfidë kombëtare dhe ka nevojë për angazhimin e të gjithë faktorëve.
“Në bashkëpunimin si opozitë edhe PD, ka qenë e gatshme për një diskutim të hapur dhe tryezë institucionale që zgjidh problemet e reformës në drejtësi. Jemi në një kolaps institucional, do të bllokohen gjykatat dhe më pas ligjin do e bëjnë bandat”, u shpreh Luan Rama.
Ai e cilësoi si një moment reflektimi, duke pyetur nëse mazhoranca ndjen ndonjë përgjegjësi apo ka arsye të reflektojë përballë një situate të tillë.
Zv.kryetari e cilësoi si situatë emergjence kombëtare, ku vendi ndodhet pa gjykatat kryesore të tij.
Megjithatë ai shprehu vendosmërinë për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga radhët e të korruptuarve.
Në fjalën e tij në Kuvend ai tha më herët, se LSI nuk do e votojë ligjin për magjistratët pasi sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën.
Po ashtu ai kërkoi që Kuvendi të vijojë punën dhe të mos mbyllë sesionin sot, duke kërkuar që të zgjidhen çështjet e Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se LSI është e bindur që reforma në drejtësi duhej bërë, por mbi bazën e parimeve që u sanksionuan me ndryshimet kushtetuese.
Sipas tij, dy vite më pas bilanci është skandaloz, ku Shqipëria është pa gjykatë Kushtetuese, të Lartë dhe shumë shpejt do të gjendet në kolaps total.
“Përgjegjësia është e të gjithë klasës politike. Nëse faji është i opozitës, po dy vite pas, shumica nuk ndjen asnjë përgjegjësi, që vendi është në këtë situatë skandaloze? Për faj të arrogancës së vet dhe veprimeve të njëanshme jemi në zgrip të funksionimit të institucioneve. Duhet të kishte një reflektim për të zbardhur përgjegjësinë tonë. Po kush e krijoi problemin në Shkollën e Magjistraturës? Sot na kthehet ti kthejmë pushtet atij institucioni, që jo vetëm nuk i takon pushtet, por përgjegjësia kryesore me problemet që ka krijuar, KLD-ja”, u shpreh Luan Rama.
Në këtë linjë deklaroi se e gjitha ka qenë një skemë e organizuar për të kapur sistemin. /a.y/noa.al
Luan Rama: LSI s’voton për magjistratët, Kuvendi të japë zgjidhje më pas pushimet
Sot seanca e fundit e Kuvendit, ligjet që pritet të shtyhen për në shtator
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





