Transmetuar më 23-07-2018, 10:39

Në seancën e sotme parlamentare, e fundit për këtë sesion, e ka marrë fjalën zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.

Ai ka bërë me dije se LSI nuk do e votojë ligjin për magjistratët pasi sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën.

Po ashtu ai kërkoi që Kuvendi të vijojë punën dhe të mos mbyllë sesionin sot, duke kërkuar që të zgjidhen çështjet e Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se LSI është e bindur që reforma në drejtësi duhej bërë, por mbi bazën e parimeve që u sanksionuan me ndryshimet kushtetuese.

Sipas tij, dy vite më pas bilanci është skandaloz, ku Shqipëria është pa gjykatë Kushtetuese, të Lartë dhe shumë shpejt do të gjendet në kolaps total.

“Përgjegjësia është e të gjithë klasës politike. Nëse faji është i opozitës, po dy vite pas, shumica nuk ndjen asnjë përgjegjësi, që vendi është në këtë situatë skandaloze? Për faj të arrogancës së vet dhe veprimeve të njëanshme jemi në zgrip të funksionimit të institucioneve. Duhet të kishte një reflektim për të zbardhur përgjegjësinë tonë. Po kush e krijoi problemin në Shkollën e Magjistraturës? Sot na kthehet ti kthejmë pushtet atij institucioni, që jo vetëm nuk i takon pushtet, por përgjegjësia kryesore me problemet që ka krijuar, KLD-ja”, u shpreh Luan Rama.

Në këtë linjë deklaroi se e gjitha ka qenë një skemë e organizuar për të kapur sistemin. /a.y/noa.al

Sot seanca e fundit e Kuvendit, ligjet që pritet të shtyhen për në shtator

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd