


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli paraditen e sotme, vendimin lidhur me pastërtinë e figurës së kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku.
Kryeprokurorja Marku kaloi procesin e vettingut, pas shqyrtimit të gjithë dokumentacionit dhe hetimit të thellë administrativ.
Ajo u konfirmua në detyrë, pasi rezultoi “e pastër”, sa i takon pasurisë, figurës dhe vlerësimit profesional.
Vendimi ndaj saj u dha nga trupi gjykues me përbërje, Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko, Suela Zhegu.
Sakaq ditën e djeshme, ku u zhvillua seanca dëgjimore me kryeprokuroren Arta Marku, pati disa momente shigjetimesh ndaj drejtueses së organit të akuzës.
Lidhur me ushtrimin e detyrës së saj, nga relatorja Suela Zhegu, u denoncua si problematike vendimmarrja e saj, ndaj shtetasit A.B., i cili e akuzon Arta Markun se nuk i ka shpjeguar arsyet pse u mbajt në burg, dhe u dënua me 2 muaj, për drejtimin të makinës nën efektin e alkoolit, duke u cilësuar si masë ekstreme.
Ndërkohë vëzhguesi i huaj i Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Theo Jacobs, ka kërkuar shpjegime nga zonja Marku, se pse kërkoi dy herë me radhë “arrest me burg” për shtetasin A.B.
Në këtë drejtim ai shtoi se, “Zonja Marku nuk duhet të japë vetëm urdhra, por të përmirësojë imazhin e Prokurorisë”.
Në seancë, Prokurorja e Përgjithshme nuk ishte e pranishme, duke u përfaqësuar nga avokatja Lirime Çukaj, ashtu si ditën e sotme kur u dha vendimi.
Kryeprokurorja, iu nënshtrua procesit të vetingut me përparësi, për shkak të pozicionit të saj si kryeprokurore e përgjithshme e përkohshme.
Me kalimin e vetingut, kryeprokurorja Marku fiton të drejtën për t’u zgjedhur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, për një mandat 7-vjeçar. /a.y/noa.al
Arta Marku në veting, PD: Kamikazja e Ramës do konfirmohet në detyrë
Arta Marku në komisionin e vetingut, denoncimi ndaj saj dhe kritikat e vëzhguesit të huaj
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





