

Në seancën e sotme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku u zhvillua seanca dëgjimore me kryeprokuroren Arta Marku, pati disa momente shigjetimesh ndaj drejtueses së organit të akuzës.
Ndërsa rezulton se zonja Marku nuk ka deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë, është konstatuar e përshtatshme për vijimin e detyrës.
Por lidhur me ushtrimin e detyrës së saj, nga relatorja Suela Zhegu, është denoncuar si problematike vendimmarrja e saj, ndaj shtetasit A.B., i cili e akuzon Arta Markun se nuk i ka shpjeguar arsyet pse u mbajt në burg, dhe u dënua me 2 muaj, për drejtimin të makinës nën efektin e alkoolit, duke u cilësuar si masë ekstreme.
Ndërkohë vëzhguesi i huaj i Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Theo Jacobs, ka kërkuar shpjegime nga zonja Marku, se pse kërkoi dy herë me radhë “arrest me burg” për shtetasin A.B.
Në këtë drejtim ai shtoi se, “Zonja Marku nuk duhet të japë vetëm urdhra, por të përmirësojë imazhin e Prokurorisë”.
Rasti i kryeprokurores së përkohshme, po shqyrtohet nga trupi gjykues që ka në përbërje, Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko, Suela Zhegu.
Në seancë Prokurorja e Përgjithshme nuk ishte e pranishme, duke u përfaqësuar nga avokatja Lirime Çukaj.
Kryeprokurorja, i nënshtrohet procesit të vetingut me përparësi, për shkak të pozicionit të saj si kryeprokurore e përgjithshme e përkohshme.
Në rast të kalimit të vetingut, kryeprokurorja Marku fiton të drejtën për t’u zgjedhur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, për një mandat 7-vjeçar.
Para zgjedhjes në krye të organit qendror të akuzës, Arta Marku, ishte prokurore në Shkodër.
Ajo u zgjodh në Kuvend si kryeprokurore e përkohshme në 18 dhjetor 2017, pas 17 vitesh punë në sistemin e drejtësisë.
Nga shqyrtimi i dosjes, zonja Marku ka rezultuar e rregull në raport me ligjin. Së dyti, nga verifikimi i deklaratave të pasurisë, zonja Marku rezulton me një pasuri modeste. Sa i takon pasurive të paluajtshme, kryeprokurorja posedon 1/3 e një shtëpie banimi me sipërfaqe 55 m2, ku siç duket është banesa e prindërve.
Në vitin 2007, kryeprokurorja, së bashku me bashkëshortin, deklarojnë blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2. Apartamenti është blerë me anë të një kredie dhe nga kursimet. Ndërkaq, në vitin 2015, bashkëshorti i zonjës Marku deklaron 25 % të një apartamenti me sipërfaqe 60 m2, fituar nga privatizimi i banesës shtetërore.
Sa i takon të ardhurave, kryeprokurorja deklaron vetëm pagën e saj si prokurore ndër vite dhe pagën e bashkëshortit nga pozicioni oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Po ashtu edhe një pagë modeste si pedagoge. /a.y/noa.al
Kryeprokurorja Marku nuk paraqitet në seancën e vetingut, përfaqësohet nga avokatja
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





