Transmetuar më 03-07-2018, 15:10

Në të njëjtën ditë kur Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku u paraqit përpara KPK-së, në kuadër të procesit të vetingut, Partia Demokratike ka hedhur akuza për mënyrën se si ky proces po ecën deri më tani.

Në një dalje të posaçme për mediat, Enkeled Alibeaj tha se komisioni po përdor standarde të dyfishta edhe kur bëhet fjalë për prokurorë dhe gjykatës në të njëtja kushte.

E njëjta gjë, sipas tij, do të ndodhë edhe me atë që e quan kamikaze të Edi Ramës, Arta Markun.

Alibeaj thotë se Kryeprokurorja do të rikonfrimohet në detyrë, jo sepse përmbush kriteret, por sepse i shërben Edi Ramës.

“Një provë e fortë mbi këtë u dha sot, ku radha për vetting i erdhi kamikazes së Edi Ramës në prokurori. Arta Marku, e deleguara e Edi Ramës në Krye të organit të prokurorisë, pritet të konfirmohet në detyrë, jo sepse përmbush kriteret e vendosura nga ligji, por se kriteret e kualifikimit që po aplikohen kanë si kusht kryesor se cili gjyqtar apo prokuror i shërben më shumë Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të korruptuar”, tha Alibeaj.

Deputeti demokrat tha se në këto 6 muaj në drejtim të organit të akuzës, Arta Marku ka shkelur ligjet në mënyrë flagrante.

“Është fakt i njohur botërisht që Arta Marku në 6 muaj në Krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime e komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar e shkarkuar drejtues prokurorie, edhe pse neni 160, pika 2 e ligjit për statusin e magjistratit, ia ndalojnë shprehimisht këtë”, vijon deklarata e demokratit.

Disa prej shkeljeve, sipas tij, janë:

Duke vepruar si prokurore politike, Arta Marku ka shkelur ligjin duke  shndërruar organin e prokurorisë nën varësinë e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Sot hetimet kanë për zot jo prokurorin, por Ministrin e Brendshëm. Edhe këtë paligjshmëri organet e vettingut kishin për detyrë ta verifikonin, por qartësisht mbyllën sytë për të mbrojtur emërimin politik të Edi Ramës në krye të Prokurorisë.

Alibeja mbyll deklaratën duke thënë se “nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra”. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd