Transmetuar më 13-02-2018, 09:57

Një automjet tip “Benz” ML është djegur mesnatën e së dielës në qendër Vlorës, teksa ishte e parkuar. Mësohet se makina, e cila u përfshi nga flakët është në pronësi të biznesmenit Eduard Alikaj.

Paraprakisht dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme, por ende nuk dihen autorët dhe motivet.

Ndërkohë në një prononcim për “GSh”, Alikaj shprehet se nuk ka dijeni se kush mund të jenë autorët, pasi nuk ka konflikte me asnjë person. Ai thotë se i vetmi dyshim është interesimi i tij kritik dhe opozitar kundrejt politikë bërjes dhe vetë politikanëve.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”, në vendin e quajtur Xhamia, ku u dogj pjesërisht, automjeti “Benz” tip ‘Fuoristradë ML’, me targa AA 777 KP, në pronësi të shtetasit Eduard Alikaj.

I pyetur nga “GS”, Alikaj u shpreh se nuk ka konflikte me asnjë person dhe se nuk ka dijeni se kush mund të jenë autorët.

“Nuk kam asnjë dyshim në persona. Nuk kam konflikte. I vetmi dyshim është interesimi im kritik dhe opozitar kundrejt politikë bërjes dhe vetë politikanëve. Kjo mund të jetë arsyeja e vetme për këtë kërcënim. Shkrime kanë qenë të shumta. Në të gjitha krahët politike”, u shpreh Alikaj.

Në lidhje me ngjarjen ai theksoi se u lajmërua nga persona, të cilët panë edhe autorin po nuk mundën ta identifikojnë pasi ishte me kapuç në kokë dhe u largua me shpejtësi.

“Makina ishte poshtë shtëpisë në qendër të qytetit, pranë Xhamisë. Flaka është venë nëpërmjet benzinës duke malaksur pjesën midis xhamit dhe kofonit. Ka pasur dëmtime të vogla. Plastika të shkrira. Policia e zjarrfikësit kishin ndërhyrë në kohë të lajmëruar nga persona që panë edhe personin me kapuç e biçikletë të largohej me shpejtësi. Ata më lajmëruan edhe mua”, tha biznesmeni.

Ndërkohë hetimet e policisë së Vlorës janë përqendruar në dy pista. E para, është ajo e një konflikti të ndodhur në dhjetor të 2016-ës, ku Alikaj u përfshi në një sherr me punonjësit e një parkingu ku u gjakos dhe përfundoi në pranga.

Në lidhje me këtë konflikt Alikaj tha se është i mbyllur dhe dyshimi tek ai është zero.

“Ka pasur dëmtime të vogla. Plastika të shkrira. Policia e zjarrfikësit kishin ndërhyrë në kohë të lajmëruar nga persona që panë edhe personin me kapuç e biçikletë të largohej me shpejtësi. Ata më lajmëruan edhe mua”, tha biznesmeni. Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me një status të publikuar në profilin e tij në “Facebook” pak orë para se t’i digjej mjeti.

Me anë të këtij statusi biznesmeni denoncon ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit dhe thotë se për shkak të lidhjeve të ngushta nga xhepat e popullit janë vjedhur plot 26 milionë euro.

Kujtojmë që Alikaj është një person mjaft aktiv në rrjetet sociale sidomos për çështje të aktualitetit. Kamerat e sigurisë në objektet pranë vendit të ngjarjes kanë kapur momentin kur një person i maskuar në biçikletë largohet nga zona. Ndërsa grupi hetimor po punon për përcaktimin e plotë të shkaqeve të djegies së mjetit.

Statusi në “Facebook” Inceneratori i Elbasanit

Iu dhanë për ta ndërtuar një personi pa lidhje (apo lidhje të “ngushtë”), 26 milionë euro nga lekët e popullit. Na shpjeguan se do hiqte plehrat dhe do gjeneronte korrent, por plehrat janë akoma në parlament dhe këta, për korrentin, japin leje ndërtimi hidrocentralesh mbi lumenjtë e mrekullueshëm.

Na shpjeguan se ishte teknologji e pastër (avull), por personat e zonës që e përjetojnë, thonë se prodhon re të zeza tymi, si shpirti i atyre që e lejojnë. Pretenduan nga bashkia, që të gjitha plehrat të dërgoheshin atje, dhe riciklimi të bëhej atje, duke ndaluar fukarenjtë të “rrëmbenin” nga koshat plastikën, metalet, kartonët, apo ndonjë copë bukë të mbetur.

Tani ankohen se populli nuk prodhon plehra mjaftueshëm për ta mbajtur gjithmonë ndezur, dhe rindezja e furrit ka kosto të madhe (këtë kosto mendojnë t’ia faturojnë qeverisë, popullit), por populli i shkretë është në krizë edhe në prodhimin e plehrave, ngaqë nuk konsumon mjaftueshëm.

A u bë një studim i mirëfilltë kur u dha leja e ndërtimit, dhe me të paratë e popullit?!

A do vazhdojë ky gabim (i provuar), duke ndërtuar incenerator të tjerë, d.m.th. duke shpenzuar akoma nga paratë e popullit?!”

I dogjën makinën, kush është biznesmeni në shënjestër dhe plagosja për të cilën u arrestua

Vlorë, i vihet zjarri makinës së biznesmenit