Transmetuar më 18-12-2017, 15:39

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e sotme në Tiranë.

“Ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi”, thuhet në deklaratën e ambasadës së drejtuar nga Donald Lu.

Më tej deklarohet se populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin, ndërsa nënvizohet se kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet.

Po ashtu thuhet se komisionet e Vettingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para.

“Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”, thuhet në deklaratë, ku nuk kursehen kritikat për kryeprokurorin e ikur, Adriatik Llalla.

Kuvendi votoi me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim kryeprokuroren e re të përkohshme.

Arta Marku u betua mesditën e sotme në sallën e Kuvendit, mes tymueseve të hedhura nga opozita, e cila kundërshton zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, duke e cilësuar gjithë procedurën e ndjekur si antikushtetuese.

Votimi për emrin e Markut u bë në mënyrë elektronike, dhe të fshehtë, ndërsa nuk kanë munguar edhe konfrontimet fizike mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe punonjësve të Gardës. /a.y/noa.al

Kryeprokurorja e re, Arta Marku betohet mes tymueseve në parlament

Mazhoranca zgjedh Kryeprokurorin e përkohshëm, mori 69 vota pro

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd