
Partia Demokratike përshëndet sulmin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj Sirisë. Në një qëndrim zyrtar të PD thuhet se Presidenti Trump urdhëroi sot në orët e para të mëngjesit goditjen me 59 raketa tomahok të bazës ushtarake në Siri, prej ku u lëshuan pak ditë më parë bombat me gaz helmues që shkaktuan vdekjen e dhjetëra civilëve mes tyre dhe shumë femijë.
Sipas kësaj partie, përveçse një operacion me efektivitet të lartë ushtarak, kjo është një përgjigje e drejtpërdrejt ndaj një diktatori i cili nuk kursen jetë civilesh të pafajshëm për t’i shërbyer pushtetit të tij.
Më tej thuhet se, përgjigja amerikane është edhe një shpresë e rindezur se rendi demokratik botëror në mbrojtje të jetës dhe të drejtave e lirive të njeriut ka garant vendin më të fuqishëm dhe demokratik të globit, SHBA.
Po në këtë linjë deklarohet se urdhri i Presidentit Trump është një konfirmim i lidershipit moral të padiskutueshëm të SHBA në zhvillimet ndërkombëtare.
“Partia Demokratike përshëndet këtë akt të jashtëzakonshëm në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit njerëzor dhe ndihet krenare për partneritetin unik strategjik me SHBA dhe Presidentin Trump. Partia Demokratike do të jetë përherë në krah të SHBA dhe nesër në qeverisjen e vendit do ta ngrejë këtë partneritet në nivelet më të larta historike”, thuhet në mbyllje të qëndrimit. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





