Transmetuar më 20-01-2017, 13:27

Tiranë, 20 janar 2017, NOA.al- Prokuroria e Përgjithshme nis hetimet për deputetin socialist, Alfred Peza lidhur me pasurinë e tij prej 1 miliardë lekë, për të cilat pretendon se janë të ardhura nga kursimet.

Ditën e sotme në Prokurori është thirrur për të dëshmuar ish- bashkëshortja e tij Adelina Toli, si dhe kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj.

Peza po hetohet për evazion fiskal, deklarim të rremë të pasurisë dhe falsifikim dokumentesh. Gjithashtu edhe vetë deputeti pritet të merret në pyetje nga organi i akuzës. 

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, pak ditë më parë lajmëroi nisjen e kontrollit të plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të deputetit socialist Alfred Peza.

Kontrolli nisi lidhur me blerjen e aksioneve në bankën ‘Credins’ nga bashkëshortja e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Alfred Peza, me vlerë rreth 1.13 miliardë lekë, bazuar në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.

ILDKPKI ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të subjektit Alfred Peza.

Vetë Peza deklaroi për mediat se, “Jam një burrë 50 vjeç. Kam 28 vjet që punoj. Bashkëshortja ime ka 23 vjet që punon. Do të doja t’ju sillja në vëmendje deklaratën e parë të pasurisë së Lulzim Bashës. Ishte 30 vjeç dhe kishte punuar vetëm 4 vjet. Ka deklaruar pasuri mbi 1 mln euro, 300 mijë dollarë më shumë se sa unë. Alfred Peza ishte i adhuruar nga të gjithë. Sapo hyra në politikë u bëra delja e zezë. Pasuria e familjes së Alfred Pezës pas 2013 është shtuar me zero lekë përveç të ardhurave nga interesat bankare dhe të ardhurat e mia si deputet dhe bashkëshortes si punonjëse të Ministrisë së Jashtme".

Peza nënvizoi se të gjitha këto akuza bëhen për shkak të zilisë së pasurisë ndaj tij: “Është beteja e ziliqarëve për lekët e mia. Zilia është njerëzore edhe unë i mirëkuptoj gjithë ziliqarët për paratë e mia. Nuk i justifikoj dot. Nëse do të ishte betejë për të vërtetën, ju mund të vinit të më takonit mua. Askush nuk më ka marrë në telefon nga mediat, askush nuk i ka çuar një mesazh bashkëshortes time dhe të thotë dua një prononcim. Këto dokumente do t’i dorëzoj në ILDKPKI”./a.y/noa.al

PD publikon vendimin e gjykatës: Rama të shpjegojë pasurinë e Pezës, mashtroi

Alfred Peza: Lekët i kam fituar me punë të ndershme, akuzat nga ziliqarë

ILDKPI, hetim për 1 milion USD te Credins. Peza: Të kontrollohen dhe kolegët e mi

Aksionet 1 milionë USD në bankë, ILDKPKI nis hetimin e pasurisë së deputetit Alfred Peza

PD: 1 miliardë lekë Alfred Peza, imagjinoni sa ka bërë Beqaj, Gjiknuri e Rama

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd