
Deputeti socialist Alfred Peza është vënë sot zyrtarisht nën hetim për pasurim të paligjshëm. Hetimi ka nisur nga Inspektorati i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.
ILDKPI lajmëroi sot nisjen e hetimit për deklaratat e interesave, lidhur me aksionet me vlerë rreth 1.13 miliardë lekë ose rreth një milion USD në bankë të nivelit të dytë.
“ILDKPKI fillon kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Alfred Peza”, – thuhet në njoftimin zyrtar.
Institucioni thotë se hetimi vjen pas publikimeve në lidhje me blerjen e aksioneve në bankë nga bashkëshortja e deputetit Alfred Peza, me vlerë rreth 1,13 miliardë lekë.
“Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të subjektit Alfred Peza”, – thotë ILDKPI.
Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur.
Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme kurse tha se falënderon median për publikimin.
Lidhur me këtë hetim, z.Peza tha sot se ai mirëpret nisjen e hetimit duke u shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me ILDKPI, duke kërkuar që hetimi të bëhet jo vetëm për të.
“Nxis institucionin që me të njëjtën ndjeshmëri dhe seriozitet të hetojë këdo nga të zgjedhurit e Kuvendit të Shqipërisë, të zgjedhurit lokalë dhe persona të tjerë subjekt i hetimit nga ana e këtij institucioni, sot e në vazhdimësi, për të cilët ka patur, ka apo do të ketë indicie të njëjta apo të ngjashme”, – thotë deputeti Peza.
Ish gazetari thekson se thotë se pasuritë e tyre janë të kontrolluara nga shteti, duke shtuar se as ai dhe as e shoqja nuk kanë menaxhuar ndonjëherë para nga fondet dhe pasuritë publike. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





