Transmetuar më 24-05-2018, 08:58

Gjatë natës së lënë pas, ende pa zbardhur e enjtja, persona të paidentifikuar hynë në Prokurorinë e Durrësit, ku shënjestra ishte në zyrat e prokurorëve, prej nga rezultojnë të zhdukura një sërë dokumentesh.

Ishte pastruesja, ajo që kur hapi derën e Prokurorisë, konstatoi vjedhjen duke lajmëruar policinë.

Nga konstatimet paraprake, rezulton se janë marrë disa dokumente hetimore.

Por ajo që bën përshtypje është se dyert kryesore nuk janë dëmtuar, çka ka shtuar dyshimet se hajdutët mund të kenë hipur nga katet e sipërme të godinës.

Inspektorët e krimeve dyshojnë se hajdutët kanë hyrë nga ana e pasme e Prokurorisë dhe më konkretisht nga kabina elektrike, për të kaluar më tej në dritaret e tualetit.

Zyrat e grabitura ndodhen në katin e katërt dhe të pestë, por dëmi më i madh është bërë në zyrën e prokurorit Afrim Shehut, ku janë marrë disa materiale dhe dokumente.

Shehu është prokuror i Task Forcës së organit të akuzës së qytetit bregdetar.

Aktualisht po bëhet bilanci për të zbuluar dokumentet që mungojnë. Mësohet se prokurori Shehu është i përfshirë në hetimet e zyrtarëve që janë të përfshirë në abuzim me detyrën dhe korrupsion.

Kujtojmë se pak ditë më parë po në Prokurorinë e Durrësit, u vodh posta sekrete, ngjarje e cila ka mbetur ende pa autor. /a.y/noa.al

Vjedhja e Prokurorisë së Durrësit, zbulohet zyra e cilit prokuror ishte në shënjestër

Vjedhje gjatë natës në Prokurorinë e Durrësit, merren materialet e prokurorëve