Transmetuar më 17-05-2018, 13:25

Nisin hetimet për vdekjen e të riut korçar, i cili u gjet i pajetë paraditen e sotme në ambientet e paraburgimit në Korçë.

Prokuroria e Korçës ka sekuestruar kamerat e komisariatit dhe të dhomave të sigurisë, për të parë se çfarë ka ndodhur orëve të fundit me të ndjerin.

Sakaq trupi i 27-vjeçarit Enea Ftoj do i nënshtrohet ekspertizës, nga një ekspert i mjekësisë ligjore dhe nga një i pavarur.

27-vjeçari ishte arrestuar tre ditë më parë për vjedhje me dhunë. Vdekja paraprakisht dyshohet të jetë natyrale, ndërkohë që ai është gjetur i pajetë në krevatin e dhomës ku ndodhej.

Viktima ka qenë i dënuar më parë për vjedhje, ndërkohë që edhe pas rikthimit në liri ka vijuar të vjedhë.

Ftoj u arrestua më 14 maj pasi vodhi me dhunë varësen e floririt të një qytetareje.

Sipas policisë nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga informacionet paraprake dyshohet se viktima, ka qenë përdorues i lëndëve narkotike. Ndërkohë po merren në pyetje edhe policët që kanë qenë në turn mbrëmjen e djeshme.

Familja e të ndjerit, pretendon se Enea mund të jetë dhunuar, çka ka çuar në vdekjen e tij.

“Kemi folur në telefon dhe na tha që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Na e vrau djalin policia. Nuk ishte i sëmurë. Ishte përdorues heroine. Policia na tha është mirë. Na e vranë. I kanë bërë gjilpëra. Edhe mbrëmë kur i sollëm bukën na thanë po fle. Ai ishte babai i tre fëmijëve të vegjël. Ka dëshmitare që është dhunuar në momentin kur u shoqërua”, thanë për mediat familjarët.

Aktualisht trupi i pajetë i tij ndodhet në morgun e spitalit të Korçës, ndërkohë që pritet ekspertiza për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. /a.y/noa.al

Ky është i riu që humbi jetën në paraburgimin në Korçë

I arrestuar dy ditë më parë, vdes në qeli i riu korçar