Transmetuar më 24-04-2018, 15:12

Dalin në dritë detaje të reja pas zbulimit të porositësit për vrasjen e kryekomisar Artan Cukut. Ditën e sotme u mësua se si porositës për vrasjen e ndodhur një vit më parë në kryeqytet, është shpallur në kërkim fieraku Bledar Jambelli, i njohur edhe si Rikard Muho.

Gjithçka dyshohet se ka nisur pasi në dhjetor të vitit 2012, kur komisari i ndjerë drejtonte policinë e Vlorës, ka hapur dosjen për vrasjen e Armando Delajt në shtator të atij viti, ku si i dyshuar u arrestua Jambelli.

Jambelli akuzohet se në Vlorë më 4 shtator 2012, në lagjen “Osman Haxhiu” në lokalin me emrin “Klind” në pronësi të Armando Delajt 28 vjeç, ka qëlluar me breshëri të shtënash drejt tij, duke e lënë të plagosur në vend.

Por nga të shtënat mbeti i plagosur edhe shoku i viktimës, Stavri Beqiraj.

Jo vetëm kaq por Jambelli akuzohej edhe për vrasjen e kryer në zonën e Pusit të Mezinit në 30 nëntor të vitit 2006, ndaj 41-vjeçarit Shpëtim Mukës, i cili njihej si i forti i Vlorës.

Shpëtim Muka u ekzekutua pranë shtëpisë, por krahas tij, mbeti i vrarë edhe shoku i tij Ervin Shehu 24 vjeç dhe u plagos nipi Ervis Zanaj.

Gazeta ‘Shqip’ shkruante në vitin 2006 se zinxhiri i ekzekutimeve nis vite më parë që prej të njohurës si Masakra e Levanit, më 28 maj 1997, kur dyshohet se Shpëtim Muka ka qenë një nga autorët e ekzekutimit të 21 personave.

Vrasja dyshohet se ishte hakmarrje e Shpëtim Mukës ndaj vrasjes së tre vëllezërve të tij Kastriot, Sokol dhe Petrit Muka, të cilët po në 1997 u gjetën të vdekur në afërsi të qytetit, madje trupat e tyre ishin të copëtuar, pasi ishin hedhur në erë.

Po kështu, vëllezërit Muka njiheshin si kundërshtarë të bandës së Zani Çaushit. Po në atë kohë vritet edhe i nipi i Mukës, Bledi Zanaj, i cili u qëllua nga banda e Gërdhuqëve, një bandë e njohur në qytetin e Vlorës. Vite më pas, më 27 shtator 2006, në Barcelonë të Spanjës mbeti i vrarë Slejdi Zanaj, nipi i Shpëtim Mukës.

Për vrasjen u akuzua Sokol Rama. Slejdi njihej me nofkën Topallja, pasi kohë më parë, kishte pësuar një aksident dhe për pasojë kishte probleme në këmbë. Në vitin 2006 thuhej se vrasja pati si motiv luftën mes bandave shqiptare për rivalitetin e prostitucionit dhe drogës. Policia spanjolle arrestoi Sokol Ramën, por më pas u lirua për mungesë provash.

Më 11 nëntor 2006, Armando Zanaj, vëllai i Slejdi Zanajt vrau Leonora Ramën, nënën e Sokol Ramës, oficere e marinës. Leonora u vra në afërsi të godinës së Bashkisë së Vlorës. Armando Zanaj, atëherë 16 vjeç, u arrestua dhe në polici pati deklaruar se kishte kryer krimin për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë.

Më 29 nëntor 2006 ekzekutohet pranë shtëpisë Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Për këtë vrasje, Sokol Rama u akuzua si urdhëruesi i tij në shenjë hakmarrje ndaj së ëmës. Policia, brenda pak orësh, gjeti të braktisur makinën e autorëve, ku ishin edhe gjurmët e të dyshuarit Jambelli, por që deri kohët e fundit, nuk ishte vërtetuar implikimi i tij në krim.

Më 1 nëntor 2007, në Tiranë, pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, vritet Edvin Zanaj, djaloshi i cili i shpëtoi atentatit një vit më parë. Burimet nga grupi hetimor në Prokurorinë e Tiranës, në atë kohë thanë se dyshonin se vrasja ishte porositur nga burgu i Spanjës, ku ndodhej i arrestuar Sokol Rama.

Ky i fundit ishte arrestuar në mars të 2007-s në Madrid. Nga informacionet operative u tha në atë kohë se Sokol Rama kishte vënë në dispozicion 10 mijë euro dhe personi i paguar kishte kryer shërbimin, duke ekzekutuar me plumb në kokë 23-vjeçarin vlonjat, i cili prej disa muajsh fshihej në Tiranë. Për këtë zinxhir vrasjesh në pranga është vënë vetëm Armando Zanaj.

Ndërkaq, i arrestuari Bledar Jambelli nuk rezulton të ketë ndonjë lidhje farefisnore me Leonora Ramën. Për këtë arsye, Policia e Vlorës dyshonte se 32-vjeçari Jambelli mund të jetë vrasës me pagesë.

Vrasja e Artan Cukut

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës Artan Çuku u ekzekutua rreth orës 20:45, të 8 prillit 2017 në zonën e njohur si “Rruga e Kosovarëve” në Tiranë. Ekzekutimi u krye në hyrjen e pallatit ku Cuku banonte.

25-vjeçari nga Kuçova është i arrestuari i vetëm për krimin, ndërkohë që dyshohet se është vrasës me pagesë.

Nga hetimet e kryera rezulton se ka prova të shumta shkencore që provojnë autorësinë e Shallarit, pasi pranë vendit të ngjarjes janë gjetur prova të cilat kur janë krahasuar me ADN-në e të riut nga Kuçova janë përputhur plotësisht.

Më konkretisht bëhet fjalë për disa rroba të cilat ishin hedhur pak më tutje vendit të krimit dhe gjurmët e gishtave të lëna në to. /a.y/noa.al

Zbulohet urdhëruesi i vrasjes së kryekomisarit Artan Cuku

I dyshuar për një vrasje, zbulohen 3 viktima nga dora e tij