Transmetuar më 24-04-2018, 14:03

Bledar Jambelli nga Fieri, është njeriu i dyshuar si porositës i vrasjes së kryekomisar Artan Cukut. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda, e cila ka caktuar për të masën e arrestit me burg. Kërkimet policore për kapjen e tij deri me tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Vetëm një vit pas krimit të rëndë, që i ndërpreu në mes jetën, ish-zyrtarit të lartë të policisë, Prokuroria për Krime të Rënda mundi të hedhë dritë mbi motivet e ngjarjes.

Nga provat e grumbulluara përgjatë muajve, grupi i hetimit ka dalë në konkluzionin se ish-drejtori i Policisë së Vlorë, u vra për shkak të detyrës në radhët e uniformave blu.

Nga hetimet rezulton se në dhjetor të 2012, Artan Cuku e vuri në pranga fierakun Jambelli, pas dyshimeve se ishte autor i vrasjes së Armando Delajt, në shtator të po të njëjtit vit.

38-vjeçari i lindur në Mbrostar Ura, nuk rezultonte një emër i panjohur për policinë. Ai ishte skeduar më herët, si i përfshirë në veprimtari kriminale. Ndaj tij u caktua dhe masa e arrestit me burg për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervin Shehut dhe plagosjen e Ervis Zanajt, në nëntor të vitit 2006.

Ngjarja në fjalë, dyshohet se kishte lidhje me një vrasje të ndodhur në Spanjë, që u pasua më pas me një zinxhir krimesh të rënda që tronditën Vlorën e Tiranën.

Pavarësisht, dyshimeve që rëndonin mbi të, Bledar Jambelli ia doli mbanë të rifitonte lirinë, por mesa duket konfliktin e hapur me kryekomisarin, nuk e hodhi pas krahëve.

Sipas hetuesve, ai kontraktoi të dyshuarin Mikel Shallari, për ekzekutimin e ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, transmeton ‘News 24’. Hetuesit thonë se Shallarit i dha fillimisht shumën prej 3 mijë eurosh, ndërsa pjesën tjetër të pagesës do t’ia bënte kur ai të kishte kryer vrasjen, të cilën e realizoi prillin e vitit të kaluar në derën e pallatit ku banonte kryekomisari në rrugën e “Kosovarëve” në kryeqytet.

Prokuroria është tejet e rezervuar lidhur me provat që e implikojnë Jambellin në krimin e rëndë. Burimet thonë se pendesa e Mikel Shallari hodhi dritë mbi ngjarjen. Hetimet për çështjen janë drejt fundit dhe pritet që dosja ti dorëzohet gjykatës në fund të majit.

Atentati ndaj komisar Cukut, kthesa e papritur për të arrestuarin

Një vit pa Artan Cukun, rrëfimi prekës i gruas së komisarit

Vrasja e komisar Cukut, i dyshuari ndryshon dëshminë