Transmetuar më 27-03-2017, 12:42

Tiranë, 27 mars 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama reagon ndaj qëndrimeve të kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili thotë se ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai pyet “Kush gënjen?”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se asnjë prej çështjeve të mprehta të aktualitetit politik në vend nuk duhet të jetë shfajësim për bojkotin e Parlamentit, bllokimin e zgjedhjeve dhe Reformës në Drejtësi.

“Në përgjigje të interesimit të Top Channel, ambasada amerikane në Tiranë tha se administrata e Trump nuk e mbështet protestën e Partisë Demokratike. SHBA apelon për dialog mes palëve. Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Basha ka deklaruar se ka marrë mbështetje për kauzën e opozitës, gjatë takimeve me zyrtare të administratës se Presidentit Trump si edhe me senatorë e kongresmenë”, shkruan Rama në Facebook.

Më tej ai shton se ambasada e SHBA në Tiranë u pyet se në çadër zoti Basha duket se pretendon se ka mbështetjen e administratës Trump për protestën e PD. A është kjo e vërtetë?

Sipas kreut të qeverisë, përgjigjja e një prej zëdhënësve të Ambasadës ishte kjo: “Jo. Qeveria e Shteteve te Bashkuara mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet, apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit. Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”.

Basha: Kemi mbështetje totale nga Uashingtoni, nuk tërhiqemi pas

“Kemi marrë mbështetje totale në Uashington dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka vetëm një synim, Shqipërinë e standardit europian. Nuk do të ketë asnjë tërheqje”.

Kjo ishte deklarata e Lulzim Bashës nga çadra e protestës së opozitës, duke këmbëngulur se kauzat e Partisë Demokratike mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për këtë betejë, për këtë kauzë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, largimit të krimit nga politika dhe luftën pa kompromis kundër drogës, kemi marrë mbështetje totale në Uashginton dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka synim Shqipërinë. Nuk ka tërheqje sepse do të thotë rënie të zgjedhjeve të lira e të ndershme, tërheqje do të thotë Shqipëri të republikës së drogës. Do të ketë luftë të vendosur deri në fitore”, deklaroi Basha.

Gjithashtu, Basha nuk ndali akuzat dhe në drejtim të medias, ku tha se “mediat e blera me paratë e drogës i kanë shpallur luftë popullit shqiptar”.

Më tej ai iu referua çështjes së hetimeve për CEZ-in, duke premtuar rihapjen e komisionit për të zbardhur të vërtetën e vjedhjes së qindra e miliona eurove.

“Afera e CEZ është afera më e madhe në historinë e vendit. Komisioni u bojkotua që ditën e parë, ku mafia vodhi 650 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve. Dhe kjo është mafia e Ramës, e cila në bashkëpunim me mafien ndërkombëtare, zhvatën nga xhepat e shqiptarëve qindra miliona euro. Ekzistojnë detyrime të njohura, të pranuara ligjërisht nga CEZ, para që duhej të ishin në arkën e përbashkët të shtetit shqiptar, por nuk erdhën kurrë, sepse këto para u ndanë me mafiozët shqiptarë e ndërkombëtare”, u shpreh Basha.

Sipas Bashës, pakti për t’u zhvatur 600 milionë euro shqiptarëve, u bë para se Rama të vinte në pushtet para thuajse 4 vjetësh./a.y/noa.al

SHBA: Trump s’mbështet protestën e PD, kundër bojkot të Parlamentit

Lulzim Basha kthehet nga Amerika, përcjell mesazhin që ka marrë nga kongresmenë dhe senatorë

Basha: Nuk do të lejojmë zgjedhje farsë, kemi mbështetjen e SHBA-ve