Transmetuar më 12-12-2016, 08:40

Zbardhen detaje nga mënyra e ekzekutimit të Agron Xhezairit, babai i të kërkuarit për vrasje, i cili u vra mbrëmë në hyrjen e shtëpisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:40 të ditës së djeshme, në Ksamil të Sarandës. Mbi babanë e të shumëkërkuarit 20-vjeçar, Albi Xhezairi, është qëlluar me armë zjarri në rrethana enigmatike nga persona të paidentifikuar.

Për shkak të plagëve të marra në trup, 53-vjeçari Xhezairi nuk arriti të transportohej në spitalin e Sarandës, pasi vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.

Burime të policisë thanë se 53-vjeçari Agron Xhezairi është qëlluar me breshëri kallashnikovi në shkallët e banesës. Në momentin e atentatit mësohet se pranë 53-vjeçarit Xhezairi është ndodhur kunata e tij, e cila ka parë gjithë skenën e krimit, shkruan ‘Panorama’.

Forca të shumta të Policisë së Sarandës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku kanë nisur hetimet, duke ngritur si pistë kryesore atë të gjakmarrjes, për shkak se djali i viktimës është person i shpallur në kërkim për vrasjen e 47-vjeçarit nga Mirdita, Aleksandër Bardhi, ngjarje kjo e ndodhur në 24 shtator, për shkak të një konflikti për drogë.

Në vendngjarje janë nisur forca të shumta policie, por nuk kanë mundur që të bien në gjurmët e autorëve. Këta të fundit kanë shfrytëzuar momentet e errësirës dhe i janë afruar banesës.

Mendohet se ata e kanë ndjekur shënjestrën e tyre dhe sapo ai ka hyrë brenda oborrit, e kanë qëlluar me breshëri automatiku, nga muri i shtëpisë së fqinjit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Duket se autorët e kanë planifikuar mirë çdo veprim, duke arritur të realizonin qëllimin për t’i marrë jetën Agron Xhezairit. Ndërkohë që më shumë se një muaj më parë, ai arriti të shpëtonte nga vdekja, pasi e zbuloi në kohë eksplozivin e lidhur në makinë.

Atentati i parë/ Edhe herë tjetër ishte tentuar për të vrarë 53-vjeçarin Xhezairi, por pa rezultat nga autorët. Persona të paidentifikuar dhe në atë kohë kanë vendosur një sasi lënde plasëse në mjetin e tij gjatë natës së 30 tetorit. Pronari i makinës arriti ta pikasë në kohë eksplozivin dhe lajmëroi policinë.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur një muaj më parë se shtetasi Agron Xhezairi kishte zbuluar një send të dyshimtë, teksa ishte duke lëvizur mjetin e tij tip “Mercedes Benz”. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës, kur ai po nisej për të shkuar në punë, në një prej pikave të midhjeve në Sarandë.

Xhezairi ka konstatuar se në sediljen e pasme të mjetit të tij ndodhej një pako e mbështjellë me qese plastmasi dhe dy fije të lidhura me një celular.

Sapo ka vënë re lëndën plasëse, e cila mund të shpërthente me telekomandë, ai ka zbritur nga “Benz”-i, duke sinjalizuar Komisariatin e Policisë në Sarandë.

Efektivët e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku rrethuan zonën për disa orë me radhë, derisa nga Tirana kanë mbërritur ekspertët xhenierë të RENEA-s. Shpëtimi nga atentati me eksploziv nuk ia kurseu jetën 53- vjeçarit, i qëlluar për vdekje mbrëmjen e djeshme.

 Sarandë, ekzekutohet me automatik një person në banesën e tij

Ekzekutohet babai i një personi shumë të kërkuar në Sarandë