Transmetuar më 17-11-2026, 08:57

Duke nisur nga data 1 janar 2027 do të ulen çmimet e pasaportave dhe kartave të identitetit për disa kategori qytetarësh.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, njoftoi sot se ka firmosur urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti për disa kategori qytetarësh, masë e cila hyn në fuqi më 1 janar 2027.

Përfitues të kësaj mase do të jenë fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç, duke synuar lehtësimin e kostove për familjet dhe kategoritë që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Konkretisht, për fëmijët nën 16 vjeç, tarifa e pasaportës ulet nga 7,500 në 6,000 lekë.

Për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1,000 lekë, nga 1,500 lekë që është aktualisht, ndërsa pasaporta do të ulet në 6,000 lekë.

Për të gjithë qytetarët mbi 65 vjeç, tarifa e kartës së identitetit ulet nga 1,500 në 1,000 lekë.

Kjo ulje në të vërtetë është vetëm rikthim në vlerat e mëparshme në 1 janar 2015 qeveria i rriti çmimet duke favorizuar kompaninë private. Atëherë ajo e bëri letërnjoftimin 1500 lekë nga 1000 lekë që ishte për të gjithë dhe pasaportën 7500 lekë nga 6 mijë.

Sot, u shpall rikthimi i këtyre çmimeve vetëm për fëmijët e pensionistët.

Por në rastin e fëmijëve, sërish çmimi mbetet shumë i lartë sepse pasaporta e tyre nga 10 vjet vlefshmëri që ishte deri në 2015, u shkurtua në vetëm 5 vjet.

Edhe pse prodhimi i letërnjoftimeve dhe pasaportave nuk është më në dorën e privatit, sërish qeveria nuk uli çmimet për të gjithë qytetarët, por mbajti për vete normën e lartë të fitimit që korrte kompania private.

Mos humbisni edhe: Pasaportat, përse na rrjepin kaq shumë në Shqipëri dhe pse vendet përreth i kanë disa herë më lirë?

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit