Transmetuar më 10-08-2026, 22:28

VËZHGIM/ Nga 80 euro për procedurën normale deri në 195 euro për pasaportën e përshpejtuar, shqiptarët paguajnë dukshëm më shumë se qytetarët në disa vende të rajonit. Për fëmijët nuk ka ulje, edhe pse vlefshmëria është vetëm 5 vjet. Noa.al krahason tarifat në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Mal të Zi dhe ngre pyetjen: pse pasaporta shqiptare kushton kaq shtrenjtë?

Indriti u përgatit të shkonte fundjavën që lamë pas, për pak ditë në Greqi me disa shokë të tij. Donte shumë të shkonte, por kur u kujtua se do ti duheshin gjithë ato para për të rinovuar pasaportën, u tërhoq.

Si Indriti, ka plot mes moshash të reja, por edhe familjarë, që për shkak të çmimit shumë të shtrenjtë, deri 18,000 lekë për një pasaportë, nuk e rinovojnë atë.

Të tjerë, maten mirë kur detyrohen të shkojnë të pajisen me të dhe më së shumti, vetëm kur u duhet medoemos të bëjnë një rrugë. Kur janë mosha të thyera, as që bëhet fjalë të paguajnë "tërë ato lekë", siç pohojnë, vetëm nëse ua paguajnë fëmijët që kanë në emigracion.

Noa.al foli këto ditë me disa persona që vërtetuan këtë fakt, ndërsa mësoi nga ministria e Brendshme se janë me mijëra shqiptarë që u kanë skaduar pasaportat prej kohësh dhe nuk u rinovojnë ato.

Të blesh një pasaportë në Shqipëri, kushton "një djall e gjysmë", në Kosovë, shumë më lirë

Në Kosovë, shteti i dytë shqiptar, një pasaportë 10 vjeçare kushton 30 euro për të rriturit, 20 për të miturit dhe vetëm 15 euro për pensionistët. Për pasaportë të shpejtë, ka një shtesë 50 euro.

Vijmë tani në Shqipëri. Këtu, pasaporta paguhet 7 mijë e 500 lekë ose 80.65 euro dhe nëse e kërkon që të dalë në 3 ditë punë, plot 18 mijë lekë ose 195 euro.

Nuk ka asnjë zbritje për pensionistët dhe as për fëmijët.

Këtu ka një kleçkë tjetër: Fëmijët paguajnë të njëjtën vlerë sa të rriturit, për vetëm 5 vjet afat që ka pasaporta e tyre.

Kështu nëse një i rritur paguan 7.500 lekë ose 80 euro për pasaportën 10 vjeçare, për të miturit paguhet dyfishi i vlerës, për të njëjtën kohëzgjatje, pra 15 mijë lekë ose 160 euro.

Fqinjët e tjerë, goxha më lirë se ne

Veç Kosovës, edhe fqinjë të tjerë dhe më tej në rajon, kanë çmime më të ulëta se ne.

Në Maqedoninë e Veriut pasaporta kushton 1.500 detarë (MKD) ose 24 euro për moshat deri 27 vjeç dhe 2 mijë dinarë ose 32.5 euro.

Në Serbi, pasaporta kushton 38 euro dhe gjysma e vkerës për të miturit.

Në Malin e Zi kushton 40 euro për të rriturit dhe vetëm 15 euro për të gjithë deri 21 vjeç, sipas të dhënave publike që qëmtoi noa.al në rrjet.

Më tej, në Spanjë pasaporta kushton vetëm 30 euro dhe në shifra të ngjashme dhe në disa vende të tjera evropiane. E madje falas për kategori të caktuara.

Pse te ne kaq shtrenjtë?

Për vite të tëra, një kompani e huaj fitoi shuma marramendëse në Shqipëri me prodhimin ekskluziv të pasaportave dhe kartave të identitetit. Ndërsa kosto e prodhimit është dukshëm shumë më e vogël, fatura që u vihej shqiptarëve ishte "sa frëngu pulën". Dhe për më tepër, me një shërbim që linte shumë për të dëshiruar, në ambientet që noa.al ka vizituar në disa pika të Tiranës dhe që ishin larg standardeve të shërbimit cilësor.

Kur më në fund ajo kompani u largua, shumë shqiptarë u gëzuan dhe prisnin që çmimet të uleshin tani që administrimin e mori sërish shteti. Por kjo nuk ndodhi dhe ne vazhdojmë të paguajmë shumë më shtrenjtë se të tjerët, për një pasaportë udhëtimi.

Rrjepja e shqiptarëve nuk ndalet as jashtë vendit

Pasaporta shqiptare ka vlefshmëri 10 vjet për të rriturit dhe 5 vjet për fëmijët nën 16 vjeç. Por në të vërtetë ajo vlen gjysmë viti më pak, sepse askund nuk lëviz dot nëse ajo nuk është e vlefshme më shumë se gjashtë muaj në kohën e udhëtimit.

Që shtetasit shqiptarë të pajisen me pasaportë në vendet ku ndodhen, duhet të paguajnë çmime edhe më të kripura se në Shqipëri.

Kështu në Itali dhe Greqi, 130 euro, në Turqi, Gjermani e Belgjikë, Suedi, Francë, Austri, 170 euro dhe deri në SHBA e Kanada, plot 240 USD. Dhe që të pajisesh me të, duhet patjetër të paraqitesh fizikisht çka shton ndjeshëm kostot për këtë mjet identifikimi.

Këtu edhe Kosova është shumë më humane. Një pasaportë në të gjitha vendet e mësipërme kushton 100 euro për të rriturit dhe vetëm 60 euro për të miturit deri 18 vjeç.

***

Ajo që shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, shohin përditë në Shqipëri është dukuria e çmimeve abuzive në shumë produkte dhe shërbime. Që nga supermarketet ku në Shqipëri ke frikë të futesh nga çmimet deri disa herë më të larta se në Itali, Greqi e gjetkë e deri te shërbimet mjekësore dhe arsimore që tejkalojnë çdo cak.

E në këtë kuadër, edhe rrjepja nga shteti në tarifat e pasaportave është as më shumë dhe as më pak, por vendosmëria e shtetit për të qenë antimiqësor me qytetarët e tij. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit