

Shpërthimi në Elbasan vrau një person, shumë të asfiksuar mes tyre fëmijë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e sotme qytetin e Elbasanit, ku një shpërthim i fuqishëm në një pallat në lagjen “Beqir Dardha” i ka marrë jetën një 83-vjeçareje.
Viktima është Hatixhe Berisha, 83 vjeçe, banore e lagjes "Beqir Dardha" në Elbasan ku ndodhi ngjarja, raporton noa.al.
Nga informacionet e fundit rezulton se viktima nuk ndodhej brenda apartamentit ku ndodhi aksidenti, por u prek nga pasojat e shpërthimit që shkaktoi dëme të mëdha materiale, përfshirë shembjen e mureve dhe dëmtimin e strukturës së shkallëve të ndërtesës.
Përveç viktimës, bilanci i ngjarjes përfshin edhe 10 persona të asfiksuar nga tymi i dendur, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Forca e madhe e shpërthimit shkaktoi panik të madh te banorët e zonës, ndërsa shërbimet zjarrfikëse, policia dhe emergjencat civile ndërhynë me shpejtësi për evakuimin e të gjithë banorëve përmes shkallëve të emergjencës.
Sipas të dhënave paraprake, shkak për shpërthimin tragjik dyshohet të jetë bërë një bombol gazi brenda banesës.
Ndërkohë, grupet hetimore dhe ekspertët e lëndëve plasëse po vijojnë punën në vendngjarje për përcaktimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave teknike që çuan në këtë aksident.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






