Transmetuar më 04-11-2026, 16:21

Bilanc tragjik nga shpërthimi në Elbasan, humb jetën një 83-vjeçare, 8 të plagosur, mes tyre një fëmijë

Elbasan – Rëndohet bilanci i shpërthimit të fuqishëm që tronditi një pallat banimi në qytetin e Elbasanit. Një 83-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa tetë persona të tjerë, mes tyre një fëmijë, kanë mbetur të lënduar.

Viktima është Hatixhe Berisha, 83 vjeçe, banore e lagjes "Beqir Dardha" në Elbasan ku ndodhi ngjarja, raporton noa.al.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila ka bërë të ditur se viktima është gjetur e pajetë në vendngjarje.

Sipas të dhënave paraprake, tetë personat e lënduar janë transportuar në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ministria njofton se ekipet e urgjencës janë vendosur në gatishmëri të plotë, ndërsa spitali ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të të lënduarve.

Deri në këto momente nuk janë dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të secilit pacient apo për shkallën e dëmtimeve që kanë pësuar.

Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi panik te banorët e ndërtesës dhe pallateve përreth, të cilët e përshkruan zhurmën si të ngjashme me atë të një bombe.

Një prej banorëve tregoi se ishte hedhur nga ballkoni për të shpëtuar, pasi dera e ballkonit i kishte rënë në kokë. Ai rrëfeu se kishte dëgjuar djalin duke bërtitur për ndihmë, ndërkohë që nuk arrinte të dilte nga banesa.

Edhe dëshmitarë të tjerë treguan se shpërthimi kishte tronditur banesat e tyre, ndërsa dëmet materiale dukeshin të konsiderueshme.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se po ndjek nga afër situatën, në koordinim me strukturat përkatëse, për të garantuar kujdesin e nevojshëm për të lënduarit.

Informacione të mëtejshme mbi gjendjen e pacientëve pritet të publikohen pas vlerësimeve të ekipeve mjekësore.

Ndërkohë, shkaku i shpërthimit nuk është sqaruar ende në informacionin zyrtar të publikuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit