

Një studim shkencor i botuar më shumë se gjashtë dekada më parë në revistën prestigjioze “Science” po rikthehet në vëmendjen e publikut, për shkak të një parashikimi matematik që lidhet me datën 13 nëntor 2026.
Punimi i publikuar më 4 nëntor 1960 nga Heinz von Foerster, Patricia M. Mora dhe Lawrence W. Amiot mbante titullin provokues “Doomsday: Friday, 13 November, A.D. 2026” (“Dita e gjykimit: E premte, 13 nëntor 2026”). Autorët analizuan të dhënat historike të rritjes demografike dhe ndërtuan një model sipas të cilit, nëse ritmi i dy mijëvjeçarëve të fundit do të vijonte i paprekur, popullsia e planetit do t’i afrohej një vlere teorikisht të pafundme në nëntor të vitit 2026.
Megjithatë, parashikimi nuk sugjeronte një katastrofë apokaliptike apo shkatërrimin e botës, por ishte thjesht rezultat i një ekuacioni matematik që projektonte prirjet e atëhershme në të ardhmen.
Në dekadat që pasuan, dinamika demografike ndryshoi rrënjësisht. Ritmi i rritjes së popullsisë botërore nisi të ngadalësohej dhe në shumë vende u shënua rënie e dukshme e lindshmërisë, duke e bërë modelin e vitit 1960 të papërshtatshëm.
Sipas projeksioneve më të fundit të Kombeve të Bashkuara, popullsia botërore pritet të arrijë pikun prej afërsisht 10,3 miliardë banorësh në mesin e viteve 2080, përpara se të nisë një rënie graduale. Rikthimi i këtij studimi sot shërben si një ilustrim i kufijve të parashikimit shkencor dhe pasaktësisë të modeleve matematikore kur ndryshojnë faktorët që i ushqejnë ato.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






