

Tiranë – Me një reagim të shpejtë, të ndryshëm nga gjashtë ditët e mëparshme, policia sot ka treguar me komunikata në seri se është duke gjurmuar protestuesit të cilët i sheh si persona përgjegjës për dëmtim të objekteve të ndryshme.
Pasi arrestoi më herët sot një fëmijë që u pa nga kamerat të rrëmonte në bankomatin e një banke, policia e Tiranës njoftoi se ka shigjetuar 20 persona që i sheh si autorë të dëmtimit pasdrekën e sotme të portës dhe dritareve në katin e parë të gjykatës së Apelit.
"Dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit, vihen në pranga 5 shtetas, shpallen në kërkim 15 të tjerë dhe sekuestrohet një sasi lëndësh piroteknike", tha policia.
Ajo pohoi se aksioni vjen në vijim të veprimeve hetimore të kryera përgjatë tubimit të sotëm, te Gjykata e Apelit, ku tha se u identifikuan 20 shtetas që dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Në vijim, u arrestuan 5 prej tyre, konkretisht shtetasit: A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç.
Mes të arrestuarve është dhe një i mitur 16 vjeç. Policia tha se 16-vjeçarit, gjatë kontrollit, iu gjetën lëndë piroteknike.
Gjithashtu, u shpallën kërkim 15 shtetas të tjerë. Punohet për kapjen e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






