

PËRDITËSIM LIVE
Tensione në Tiranë, protestuesit sulmojnë Kryesinë e Kuvendit, thyejnë xhamat dhe derën
17:31 – Përditësim mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve
Në SUT janë paraqitur:
– Një efektiv policie, mori trajtim dhe u largua
– Dy të mitur (16 dhe 17 vjeç)/ Njëri mori trajtim dhe u largua, tjetri po ekzaminohet.
– Një protestues/ gjendja shëndetëdore e mirë.
– Një kalimtar/ gjendja shëndetësore e mirë
17:29 – Policia tregohet e pakursyer në hedhjen e gazit lotsjellës. Po hidhet me furi edhe ujë me presion dhe kimikatë e ngjyrues.
17:24 – Policia po hedh gaz lotsjellës me intensitet të lartë në bulevardin. Kundërpërgjigjen protestuesit, hedhin gurë pranë policisë
17:20 Disa protestues përdorin shufra hekuri për të thyer disa kamera në bulevardin Dëshmorët e Kombit
17:08 – I vihet flaka portës së Ministrisë së Bujqësisë
17:05 – I vihet flaka portës së Ministrisë së Ekonomisë
16:57 – Thyhen xhamat e bizneseve te kullat binjake
16:49 – Shkatërrohen dritaret dhe kondicionerët ne godinën ku ndodhen Gjykata Kushtetuese dhe Kryesia e Kuvendit.
Në përditësim/ Nis protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë, grupe në disa pika të kryeqytetit, marshim drejt Ministrisë së Arsimit
Tiranë – Ka nisur protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë, me grupe të rinjsh të shpërndarë në disa zona të kryeqytetit dhe me lëvizje drejt institucioneve qendrore.
Një pjesë e protestuesve janë mbledhur në grupe të vogla në sheshin “Skënderbej”, ndërsa të tjerë janë parë pranë Ministrisë së Ekonomisë, ku kanë nxjerrë në rrugë disa nga koshat e djegur në ditët e mëparshme, duke krijuar pengesa në qarkullim.
Gjatë tubimit janë dëgjuar edhe thirrje kundër qeverisë, mes tyre “Qeveria e krimit”.
Ndërkohë, një grup protestuesish ka nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, ku pritet të bashkohen studentë dhe gjimnazistë nga zona të ndryshme të Tiranës.
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë dalë gjithashtu nga ambientet e fakultetit dhe kanë nisur marshimin drejt qendrës së kryeqytetit, duke u bërë thirrje të rinjve të tjerë që t’u bashkohen.
Sipas informacioneve të raportuara, studentët kishin zhvilluar më herët, rreth orës 09:00, mbledhje në institucionet e arsimit të lartë për të diskutuar mënyrën e organizimit dhe hapat që do të ndiqnin gjatë ditës.
Në rrjetet sociale ishte paralajmëruar që gjimnazistët të mblidheshin rreth orës 10:00 në Rrugën e Durrësit, ndërsa studentët pritej t’u bashkoheshin rreth orës 11:00.
Para Ministrisë së Arsimit situata paraqitet për momentin e qetë. Në zonë janë pozicionuar forca policie, ndërsa pranë godinës janë parkuar edhe automjete ujëhedhëse, në gatishmëri.
Forcat e rendit po monitorojnë lëvizjet e protestuesve në disa pika të qytetit. Sipas raportimeve nga terreni, kanë nisur edhe shoqërime të disa protestuesve që në orët e para të mëngjesit.
Tubimit u janë bashkuar jo vetëm studentë dhe gjimnazistë, por edhe qytetarë të grupmoshave të ndryshme.
Protestuesit vijojnë të grumbullohen dhe të lëvizin drejt pikave të përcaktuara, ndërsa pritet të shihet si do të zhvillohet protesta gjatë orëve në vijim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






