

Tragjedi në restorantin e Fushë-Krujës, kamerieri shtyu 16-vjeçarin brenda ashensorit, arrestohet edhe pronari i lokalit.
Policia e Krujës ka arrestuar dy persona lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11 tetor 2026, në fshatin Arrameras.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë E. S., 26 vjeç, kamerier në restorant, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 26-vjeçari ka shtyrë me duar brenda ashensorit një 16-vjeçar, i cili ishte gjithashtu i punësuar si kamerier në të njëjtin lokal.
Pas këtij veprimi, ashensori është shkëputur, duke shkaktuar humbjen e jetës së të miturit.
Në pranga ka përfunduar edhe pronari i restorantit, A. V., 62 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimi i pronarit lidhet me dyshimet për shkelje të rregullave të sigurisë në ambientet e punës, ndërsa autoritetet kanë evidentuar edhe dyshime për shkelje financiare.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Çfarë tha policia
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. S., 26 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”;
-A. V., 62 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






