

Detaje të rënda nga ngjarja në Fushë-Krujë! Policia zbulon veprimin që dyshohet se i parapriu shkëputjes së ashensorit ku humbi jetën i mituri. Arrestohen kamerieri dhe pronari i restorantit
Fushë Krujë – Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike në një restorant në Fushë-Krujë, ku një 16-vjeçar humbi jetën pas shkëputjes së një ashensori.
Policia e Krujës ka arrestuar dy persona lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11 tetor 2026, në fshatin Arrameras.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë Endri Stafuka, 26 vjeç, kamerier në restorant, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 26-vjeçari ka shtyrë me duar brenda ashensorit një 16-vjeçar, i cili ishte gjithashtu i punësuar si kamerier në të njëjtin lokal.
Pas këtij veprimi, ashensori është shkëputur, duke shkaktuar humbjen e jetës së të miturit.
Në pranga ka përfunduar edhe pronari i restorantit, Afrim Vathi, 62 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimi i pronarit lidhet me dyshimet për shkelje të rregullave të sigurisë në ambientet e punës, ndërsa autoritetet kanë evidentuar edhe dyshime për shkelje financiare.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






