Transmetuar më 02-10-2026, 09:45

Hetimet për videot e publikuara në rrjet hyjnë në një fazë të re. Dy prej personazheve të njohura që shfaqen në pamje mësohet se kanë pranuar të japin dëshminë e tyre, ndërsa ekspertët po kërkojnë të zbulojnë si dolën regjistrimet nga sistemi i kamerave dhe kush i publikoi

Tiranë – Hetimet për publikimin dhe shpërndarjen në internet të videove me përmbajtje intime, të regjistruara në ambientet e studios së kompozitorit Adrian “Adi” Hila, po zgjerohen, ndërsa dy prej grave që shfaqen në materialet filmike mësohet se kanë pranuar të japin dëshminë e tyre në polici.

Sipas informacioneve të deritanishme, bëhet fjalë për dy personazhe të njohura të botës së muzikës, të cilat pritet të pyeten për rrethanat në të cilat janë realizuar filmimet dhe nëse kanë pasur dijeni se në ambient funksiononin pajisje regjistrimi.

Ato janë mes personave që Policia e Tiranës ka kontaktuar në kuadër të hetimit të nisur pas përhapjes masive të materialeve në rrjet. Raportime të tjera bëjnë të ditur se disa prej personave të identifikuar në pamje mund të pyeten në një moment të dytë për shkak të gjendjes së rënduar pas publikimit të videove.

Ndërkohë, Adi Hila është paraqitur në Policinë e Tiranës dhe ka dhënë deklarimet e tij. Sipas raportimeve, kompozitori ka mohuar se videot janë publikuar prej tij, ndërsa më herët kishte deklaruar se dyshonte se sistemi i kamerave ishte hakeruar.

Një nga pikat kryesore që po hetohet është pikërisht mënyra se si materialet kanë dalë nga sistemi i regjistrimit dhe kanë përfunduar në duart e personave të paautorizuar. Krimi Kibernetik pritet të ekspertizojë sistemin e kamerave dhe pajisjen DVR ku ruheshin regjistrimet, për të përcaktuar nëse ka pasur ndërhyrje nga distanca, përmes rrjetit të studios apo në një mënyrë tjetër.

Paralelisht, hetuesit po gjurmojnë adresat IP dhe të dhënat e faqeve e profileve që kanë publikuar ose shpërndarë materialet. Policia po ndjek gjithashtu procedurat për heqjen e tyre nga platformat online.

Nga ana tjetër, ende nuk është sqaruar publikisht nëse personat e filmuar kishin dijeni për regjistrimin e pamjeve dhe as mënyra konkrete se si videot janë marrë nga pajisjet ku ruheshin. Këto janë çështje që pritet të jenë në qendër të dëshmive dhe ekspertimeve teknike.

Policia nuk ka publikuar zyrtarisht identitetet e grave që shfaqen në materialet intime megjithatë ato dolën në publik pasi rrodhën videot. Pjesa më e madhe e tyre janë këngëtare me karrierë shumëvjeçare.

Çështja i është referuar Prokurorisë për katër vepra penale: “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit