

TIRANË — Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Alliasit në Tiranë, ku 36-vjeçari Gerald Sefa ka humbur jetën pasi është hedhur nga kati i pestë i një ndërtese banimi.
Në lidhje me këtë ngjarje, shërbimet e policisë kanë arrestuar shtetasin Sajmir Demiri, babai i ish-bashkëjetueses së viktimës, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, konfirmon noa.al nga burime të Policisë së Shtetit.
Hetimet paraprake kanë zbardhur se dy ditë përpara ngjarjes, Sajmir Demiri është përfshirë në një konflikt me 36-vjeçarin, duke i kërkuar llogari për ndarjen nga e bija.
Debatet dhe presioni i ushtruar prej tij konsiderohen nga grupi hetimor si pista kryesore që çoi viktimën drejt aktit ekstrem.
Gjatë këqyrjes së vendngjarjes në banesën e pronësuar nga një familjar i Sefës, hetuesit gjetën një thikë me njolla gjaku, çka ngriti fillimisht dyshime për vrasje.
Megjithatë, ekspertiza shkencore provoi praninë e gjurmëve të gishtave të vetë Gerald Sefës në armën e ftohtë, duke ngritur dyshimin se ai kishte tentuar fillimisht vetëdëmtimin përpara se të ndërmerrte aktin fatal.
Këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë të vendosura në hyrje të pallatit ka dokumentuar se 36-vjeçari ka hyrë i vetëm në ndërtesë, element ky që mbështet dinamikën e vetëvrasjes nën presionin e konfliktit familjar. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të çështjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






