Transmetuar më 15-09-2026, 14:23

Dita e parë e vitit të ri shkollor u shoqërua me një denoncim publik për lëndë të rrezikshme në shkollat e rindërtuar me fondet evropiane.

Aktivisti Mandi Jatagani doli me dy publikime live më Facebook ku denoncoi faktin sipas tij se në shkollën Emin Duraku, rikonstruktuar me fondet e Bashkimit Evropian në kuadrin e EU for Schools, në fasadat dhe pjesë të tjera të objektit janë përdorur lëndë si polisteroli të cilat kanë rrezik të lartë djegieje dhe në disa vende të zhvilluara nuk lejohet të përdoren.

Në lidhje me këtë denoncim, noa.al iu drejtua me kërkesë për informacion, zyrës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në përgjigjen e dhënë sot me shkrim, zyra e BE në Tiranë, siguron se në rikonstruksionin apo ndërtimin e shkollave, përfshirë atë që denoncoi aktivisti, nuk janë përdorur lëndë të rrezikshme:

"Shkolla “Emin Duraku” është një nga 63 objektet arsimore të rindërtuara në kuadër të projektit EU4Schools, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Në punime nuk janë përdorur materiale të identifikuara si të papërshtatshme, jo në përputhje me standardet, të dëmshme, apo që paraqesin ndonjë rrezik për shëndetin ose sigurinë. Përshtatshmëria, cilësia dhe siguria e materialeve janë garantuar përmes disa niveleve të kontrollit teknik.

Ashtu si të gjitha objektet e projektit EU4Schools, shkolla është projektuar, ndërtuar, mbikëqyrur, testuar dhe dorëzuar në përputhje të plotë me standardet dhe kërkesat ligjore në fuqi", thuhet në përgjigjen zyrtare të Delegacionit të BE në Shqipëri, për noa.al.

Lexoni dhe: Tiranë: Denoncon publikisht fasadat e rrezikshme te shkolla Emin Duraku’, policia e arreston për terrorizëm

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit