

Publikohen rezultatet e testit PISA, ministrja e Arsimit thotë se Shqipëria ka rritje të konsiderueshme në matematikë, shkencë dhe lexim krahasuar me 2022
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përkundër fakteve të publikuara zyrtarisht, tha sot se Shqipëria ka bërë përmirësime të ndjeshme në raport me vetveten, por edhe krahasuar me vendet e rajonit në testin PISA 2025.
Rezultatet për Shqipërinë noa.al jua sjell këtu. Nxënësit në Shqipëri shënuan rezultate më të ulëta se mesatarja e OECD-së në matematikë, lexim dhe shkencë, vëren raporti PISA 2025 që doli sot dhe ka analizuar noa.al. Për më tepër, asnjë nxënës shqiptar nuk arriti Nivelin e leximit që ka si standard OECD.
Rezultatet janë publikuar sot në konferencën e Ministrave të Arsimit në Bratislavë, ndërsa Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ka bërë publike rezultatet për Shqipërinë, duke u përpjekur të shohë gotën gjysmë plot:
“Shqipëria në të tre testet që bëhen nga PISA – leximi, shkencat dhe matematika, ka rritje të konsiderueshme. Në testin e matematikës Shqipëria është rritur me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë dhe në lexim me 50 pikë”, tha ministrja e Arsimit.
“Kemi rritje krahasuar jo vetëm me vitin 2022, por edhe në rajon, ku Shqipëria është në rezultatet më të larta. Konkretisht në matematikë dhe shkencë Shqipëria ka nivelin më të të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këta tregues pasqyrojnë progresin që Shqipëria ka bërë në një fushë siç është arsimi dhe nuk është thjesht krenari historike, por sidomos ambicie dhe qëllim për të ecur përpara”, vijoi ministrja e cila është e qartë që nuk ka analizuar të vetmet fakte krahasuese që ka bërë OECD, ato mes vendeve të përfshira në test dhe mesataren e tyre.
LEXOJENI TË PLOTË: Testi PISA: Nxënësit në Shqipëri shënuan rezultate më të ulëta se mesatarja e OECD-së në matematikë, lexim dhe shkencë
Foto: LSA, Arkiv
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






